Rama takohet me Merkel: Mora vlerësime pozitive nga një mike e vërtetë!

schedule10:44 - 13 Shtator, 2019

schedule 10:44 - 13 Shtator, 2019

Kryeministri Rama është sot në Berlin ku u takua me kancelaren Merkel. Kreu i qeverisë shqiptare tha pas takimit se kishte marrë vlerësime pozitive nga Merkel, të cilën e quan një mike të vërtetë. Vetë kancelarja gjermane ndau një foto me ndjekësit, duke thënë se Edi Rama është edhe artist dhe i kishte dhuruar librin e tij të fundit.

18 Tetori është afër dhe Edi Rama po shfrytëzon edhe ditët e fundit për të marrë një dritë jeshile për hapjen e negociatave. Pas Pragës, kryeministri shqiptar shkoi në Berlin ku zhvilloi një takim me kancelaren Angela Merkel. Pas bisedës 50 minutëshe, Rama u shpreh optimist, duke thënë se kishte marrë mbështetje nga një mike e vërtetë për hapjen e negociatave.

“Në Kancelarinë Federale për të kërkuar PO-në për Shqipërinë. Shumë i inkurajuar nga vlerësimet dhe predispozita pozitive ndaj Shqipërisë e kancelares Merkel. Mike e vërtetë”.

Edhe kancelarja Merkel ndau me ndjekësit e saj në rrjetet sociale takimin me Edi Ramën. Por ndryshe nga Rama, Merkel është fokusuar tek libri që i është dhuruar.

“Kancelarja Merkel mirëpriti Edi Ramën, kryeministër i Shqipërisë. Politikani është gjithashtu një artist dhe i solli kancelares librin e tij të fundit si një suvenir”, shkruhet në faqen e kancelares në Instagram.

Pak më vonë, në faqen zyrtare të kancelarisë, u publikua një njoftim për takimin.

“Kancelarja priti të premten Kryeministrin shqiptar Edi Rama në Kancelarinë Federale. Bisedimet e saj u përqendruan në marrëdhëniet bilaterale, por edhe në çështjet e politikës evropiane dhe çështjet rajonale. Në fund të Shtatorit, Bundestagu do të vendosë nëse kancelarja Angela Merkel mund të pranojë hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE me Shqipërinë në samitin e BE në mesin e Tetorit”.

Më herët, Edi Rama zhvilloi dhe një bashkëbisedim me Komitetin e Çështjeve Europiane të Bundestagut. Kryeministri e vlerësoi takimin si të hapur dhe pozitiv.

“Në Komitetin e Çështjeve Europiane të Bundestagut për të kërkuar PO-në e parlamentit gjerman për Shqipërinë. Bashkëbisedim i hapur dhe pozitiv”.

Vendet skeptike që ende nuk janë shprehur janë Franca dhe Holanda. Vendimi për Shqipërinë dhe Maqedoninë do të merret në mes të Tetorit.

/ABC News Albania 24/7