Nuk kishte ndodhur kurrë më parë.
Në një derbi të kryeqytetit shqiptar, mes Partizanit e Dinamos, mund të jenë dhënë edhe 4 penallti, por jo ama për një skuadër të vetme.
Kjo ndodhi pikërisht në hyrje të kësaj fundjave, dhe madje historia nuk u shkrua në Tiranë, aty ku I takonte, as në “Arenë”, ish-“Qemal Stafën” e dikurshme, në “Selman Stërmasi” apo të paktën në “Arenën e Demave”.
Dyert e stadiumeve të kryeqytetit janë mbyllur, në një tjetër rast të habitshëm në Superligën shqiptare, që nuk është më precedent.
Në “Elbasan Arenë”, Partizani fitoi 4-1, dhe për të u akorduan 4 njëmbëdhjetëmetërsha, ndonëse vetëm gjysma e tyre u realizua.
E vërteta është që Dinamo e nisi më mirë ndeshjen dhe pati raste, por nuk shënoi.
Në 32’, të kuqtë falenderuan dhe kaluan në epërsi me anë të Muratajt pas gabimit në mbrojtje.
Në fund të pjesës së parë, “nëndetësja” u godit edhe më rëndë, ndërsa trajneri Ilir Daja vazhdon të mos jetë në stol, ende I pezulluar.
Kapiteni Dita u përjashtua me të kuq, pas kartonit të dytë të verdhë.
Kjo, natyrisht që e bëri me krahë ekipin e trajnerit kroat, Karoglan, që pa ardhur ende pushimi fitoi penalltinë e parë.
VAR konfirmoi vendimin e arbitrit për mungesë pozicioni jashtë loje.
Teqja e ndreqi gabimin e tij me një pritje të shkëlqyer, duke mos lejuar golin e dytë.
Pa kaluar 6 minuta nga pjesa e dytë, të kuqtë fituan 11-metërshin e dytë, dhe pas një vonese prej 300 sekondash u arrit që gjuajtja nga pika e bardhë të ekzekutohej.
Për fat të keq, Hjumën gjuajti dobët, dhe Teqja grushtoi e pastaj largoi rrezikun.
Gjithsesi, epërsia numerike dhe çoroditja e bluve bëri që rezultati të thellohej.
Pak sekonda pas dështimit të penalltisë së dytë, Aliu realizoi vërtet një gol të nivelit më të lartë europian.
Numri 1 dinamovit këtë herë nuk mundi të bënte asgjë.
Vazhdoi seriali I penalltive, në 68’, dhe Fadairo këtë herë mundi ta kalonte Teqjen në 71’, për rezultatin 3-0.
Përballja e javës së 13-të të kampionatit vazhdoi e hapur deri në fund, dhe “nëndetësja” ngushtoi fillimisht shifrat për 3-1, kur Nani kaloi më në fund Qirkon.
Sidoqoftë, rekordi I penalltive do të vulosej në 84’, me 11-metërshin e fituar nga Skuka dhe të kthyer në gol po nga sulmuesi dibran.
Derbi I pazakonshëm dhe I përzënë nga kryeqyteti përfundoi 4-1 dhe Partizani më në fund e la vendin e fundit, duke pasur 13 pikë, I 8-ti në tabelë, me suksesin e tretë në 4 sfidat e fundit.
Dinamo vazhdon rënien, tani në vendin e 6-të me 17 pikë, me tri humbje radhazi dhe 5 ndeshje pa fitore.


