Një konvoj me anije ruse, që transportonte mjete ushtarake drejt Libisë, ka ndryshuar drejtim në Mesdhe pas sulmit ndaj korvetës ruse “Merkury” në portin e Bengazit, më 22 nëntor.
Lajmi është raportuar nga agjencia Reuters, e cila citon tre burime nga strukturat ushtarake dhe të sigurisë.
Sipas një zyrtari ushtarak evropian, i cili po ndiqte lëvizjet e konvojit, anijet ruse shoqëroheshin nga fregata e Marinës ruse “Golovko”. Konvoji ndryshoi kursin pranë Ngushticës së Sicilisë, pikërisht në ditën kur ndodhi sulmi në Bengazi.
Edhe një zyrtar i inteligjencës ushtarake ukrainase dhe një zyrtar i sigurisë në Lindjen e Mesme kanë konfirmuar se anijet kanë hequr dorë nga vazhdimi i udhëtimit drejt Libisë.
Sipas burimeve të cituara nga Reuters, konvoji ndodhet aktualisht i ndalur në det, pranë brigjeve të Algjerisë. Deri më tani nuk janë bërë të ditura detaje të tjera mbi arsyet zyrtare të ndryshimit të itinerarit.


