Prurjet Vjosës rrezikojnë përmbytje në zonat e ulëta të Fierit

schedule11:41 - 4 Shkurt, 2018

schedule 11:41 - 4 Shkurt, 2018

Lumi Vjosa rrezikon tre banesa dhe ka përmbytur toka bujqësore në Fier. Megjithatë ende nuk ka përmbytje të atyre përmasave për të evkuauar njerëzit.

Lumi Vjosa ka dalë nga shtrati në orët e para të ditës duke përmbytur sipërfaqje bujqësore në Poçem dhe Frakull. Shkak janë bërë reshjet e rëna në jug të vendit përgjatë 24 orëve të fundit.

Valbona Daci, gazetare e ABC News, Fier: “Ujërat e lumit Vjosa kanë nisur të dalin nga shtrati duke përmbytur sipërfaqe dhe rrezikuar banesa në Çerven, Kashisht dhe Ferras. Të dhënat e Shtabit të Emergjencave flasin për një nivel, një metër më të ulët se përmbytja e Dhjetorit, por situata mbetet e paparashikueshme, për shkak të sasisë së reshjeve që ranë në territorin e shtetit grek.”

Shtabet e emergjencave së bashku me forcat e ushtrisë janë në gatishmëri. Po punohet për ngritjen e pritave përgjatë shtratit të lumit me qëllim parandalimin e vërshimeve të Vjosës.
Këto të fundit pritet të shtohen në orët e pasditës, kohë kur mund të bëhët edhe një parashikim i saktë për sasinë e ujërave të lumit referuar reshjeve në Greqi.
Prurjet e paradites janë reshjet e një nate më parë në Gjirokastër, ndërsa në zonën e Përmetit, Vjosa ka gjithashu prurje të mëdha.

Në këtë zonë lumi reflekton prurje nga reshjet në malet e Pindit në Greqi. Shtabet e emergjencave nuk kanë ende të dhëna për sasinë e reshjeve në territorin grek, vend nga ku buron lumi Vjosa. Situata është në monitorim të vazhdueshëm. Ende nuk janë bërë evakuime njerëzish në zonat e rrezikuara./abcnews.al