TIRANË- Kryeministri i vendit, Edi Rama, ishte i pranishëm në nënshkrimin e partneritetit të ri ndërmjet shtetit, sistemit bankar dhe sipërmarrjes shqiptare për Programin Kombëtar të Financimit të Ndërmarrjeve të Vogla dhe të Mesme “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”.
Ai theksoi se ky hap synon që t’u japë mundësi zhvillimi sipërmarrjeve të reja dhe të mesme, të cilat siç pohoi kryeministri janë “motori” i ekonomisë së vendit.
“Ditë e shënuar për sipërmarrjen shqiptare. Ne ia kemi shtruar Bankës Evropiane të Investimeve dëshirën tonë, që marrëveshjet të zgjerohen dhe me bankat e nivelit të dytë, sepse është një marrëveshje, që shkon drejtpërdrejt në të njëjtin shtrat me marrëveshjen e sotme, një marrëveshje për të financuar ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, që janë motori i ekonomisë tonë dhe që sot kanë në gjirin tyre realitete me potencial të jashtëzakonshëm.
Me një mbështetje financiare të arsyeshme, ndërmarrjet mund të rriten dhe mund të sjellin mundësi të reja kuptimplota për ekonominë tonë. Ky projekt, i cili fillimisht ishte i dedikuar për bujqësinë, nga i cili nxorëm mësimet tona, dhe sot është një projekt, që është kthyer në një projekt shumë serioz mbështetjeje të qeverisë shqiptare për të gjithë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Dhe sot të gjitha ata që kanë një ndërmarrje të vogël apo të mesme, brenda një kohë të shkurtër, do futet në zbatim një program, i cili ua hap të gjithëve një derë për të dyfishuar sipërmarrjet e tyre, natyrisht bazuar në planin e biznesit dhe në të gjithë komponentët e tjerë, që janë të patjetërsueshëm për bankat e nivelit të dytë”, tha Rama.
Ai tregoi se niveli i kredidhënies për bizneset e vendit është dyfishuar në pesë vitet e fundit dhe kjo tregon se ekonomia po performon në kushte të kënaqshme. Një tregues tjetër që provon këtë gjë u shpreh Rama është rënia e nivelit të kredive të këqija.
“Kredia në Shqipëri është 10 miliardë euro, jemi në dyfishim të kapaciteteve financuese të ekonomisë nga bankat e nivelit të dytë. Kjo tregon se ekonomia është e shëndetshme dhe me potencial rritës. Kreditë e këqija kanë rënë në një nivel të papërfillshëm për kërcënimin e ekonomisë.”, tha ai./abcnews.al


