PD publikon fotot: Të paprekshmit mbjellin Shqipërinë me kanabis

schedule14:21 - 18 Korrik, 2020

schedule 14:21 - 18 Korrik, 2020

Partia Demokratike nëpërmjet Sekretarit për Çështjet Ligjore, Çlirim Gjata ka denoncuar mbjelljen e kanabisit në vend.

Sipas tij, në dy vite vendi është mbjellë fuqishëm me drogë dhe policia ka marrë urdhër që të mos shqetësojë mafiozët e lidhur me qeverinë.

Gjata ka treguar edhe disa foto, nga zonat e mbjella me drogë në Dukagjin, Malësinë e Krujës, Labëri dhe Kukës.

Gjithashtu ai citon dhe raportin e fundit të antimafias italiane, ku Shqipëria mbetet ende një nga furnizuesit me drogë në Europë.

Deklarata e plotë

Të dashur qytetarë, prej disa vitesh, ne kemi denoncuar projektin e Edi Ramës për të kanabizuar vendin si mënyra për të lidhur klanet kriminale me pushtetin e tij. Realiteti i 4-5 viteve më parë, kur i gjithë vendi u mboll me drogë dhe droga transportohej me avion, po përsëritet sërish me agresivitet edhe më të madh, përpara largimit të qeverisë së Edi Ramës.

Kjo foto është bërë së fundmi në Kukës. Kjo tjetra i përket plantacioneve me kanabis në Labëri. Kështu është në Malësinë e Dukagjinit, në Malësinë e Krujës, të Tepelenës, të Gramshit, në fshatrat e Beratit, të Vlorës, madje edhe në periferi të Tiranës. 

Shqipëria prej 2 vjetësh është rimbjellë fuqishëm me drogë, por policia është urdhëruar të mos shikojë, të mos dëgjojë, të mos shqetësojë bosët e drogës në partneritet me qeverinë.Fotografitë me kanabis në Kukës dhe në Tepelenë janë pasqyrim realitetit që prezanton me vërtetësi edhe Antimafia Italiane për gjendjen e rëndë të kanabisit në Shqipërinë e drejtuar nga Edi Rama. 

Në raportin e fundit të Antimafias italiane, Shqipëria konsiderohet si një nga vendet kryesore në nivel botëror për prodhimin e kanabisit.

 “Klanet shqiptare tanimë shprehin zotësi në rritje jo vetëm në tregtinë e drogës, por edhe në përmirësimin e cilësisë së bimëve narkotike që mbjellin, duke importuar në Shqipëri fara të afta për të prodhuar marijuanë në sasi të mëdha, në mes të vendit.”- thuhet në raportin e antimafias italiane.

Raporti ngre alarmin se Shqipëria është kthyer në një pikë kyçe tranziti për heroinën që vjen nga Afganistani dhe Azia Qendrore dhe se, për shkak të lidhjeve të duhura, krimi i organizuar shqiptar është kthyer në një nga furnizuesot kryesorë të Italisë me kokainë nga Kolumbia.

Raporti tregon edhe mënyrën sesi kryhet transporti i drogës pa u shqetësuar nga Policia e Edi Ramës dhe e Sandër Lleshajt. Trafiku rrugor është më i përhapuri, por edhe trafiku përmes detit dhe kanalit të Otrantos.

“Skafet nisen nga harku mes Vlorës dhe Durrësit dhe drejtohen përgjithësisht drejt brigjeve puljeze”, theksohet në raportin e Antimafias Italiane.

Pyetja që shtron sot çdo qytetar është sesi ka mundësi që policia shqiptare i ka të gjitha këto informacione, e di se ku mbillet droga, e di se kush e mbjell, kush e trafikon, mënyrën dhe vendin nga trafikohet dhe prapë nuk merr asnjë masë?!

Nuk ka asnjë edhe një arrestim të vetëm të trafikantëve të drogës. Asnjë shef të shkarkuar policie, megjithë premtimin pompoz të Sandër Lleshajt. Përgjigja është fare e thjeshtë! Policinë e pengon Ministri i Brendshëm, i cili është në shërbim të paktit të Edi Ramës me trafikantët e drogës.

Raporti i Antimafias italiane konfirmon se trafiku i drogës nga Shqipëria në Itali nuk është ndaluar as gjatë kohës së pandemisë COVID-19. Kur askush nuk lëvizte në rrugët e Shqipërisë dhe Edi Rama bënte shfaqjet me dron nga rrugët e zbrazura, trafikantët e drogës lëviznin lirshëm nga toka dhe nga deti.Raporti i Antimafias italiane hedh dritë edhe mbi pasurinë shumë të madhe të bosëve të drogës shqiptare.

“Të ardhurat nga trafiku i kanabisit u kanë dhënë mundësi shqiptarëve të futen në tregun e heroinës dhe kokainës, duke shumëfishuar të ardhurat”, thuhet në raport, i cili e sheh Shqipërinë si një vend ndërkombëtar të krimit.

Janë këta trafikantë droge që Edi Rama i shet për emigrantë dhe që po synon t’u legalizojë pasuritë e vëna nga droga përmes ligjit të aministisë fiskale. Ky ligj, nëse miratohet, kundër sugjerimeve të partnerëve tanë strategjikë, nuk ka për të patur jetën e gjatë.

Në do të zhbëjmë me efekt prapaveprues çdo dispozitë dhe përfitim nga ky ligj. Puna e ndershme dhe jo paratë e drogës do të vlerësohen nga qeveria e ardhshme, në mënyrë që Shqipëria të hiqet nga harta e vendeve kryesore të prodhimit dhe trafikimit të drogës.

/abcnews.al