Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar të dielën se kanë mbetur edhe 30 ditë deri më 16 shtator, datë kur pritet të përfundojë procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë.
Përmes një postimi në Facebook, Hamza tha se pritshmëritë dhe kërkesat e PDK-së janë të qarta: drejtësi dhe lirim për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
“Sot na ndajnë 30 ditë nga 16 shtatori, dita kur do të marrë fund procesi gjashtëvjeçar i padrejtë, që i ka mbajtur Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin të izoluar në Hagë”, shkroi Hamza.
Ai theksoi se katër ish-krerët e UÇK-së kanë kaluar gjashtë vite në paraburgim, larg familjeve dhe Kosovës, duke u përballur, sipas tij, me paragjykime, narrativa politike, shkelje të të drejtave dhe padrejtësi.
“Pritshmëritë dhe kërkesat tona janë të qarta: drejtësi dhe lirim”, u shpreh kreu i PDK-së.
Hamza shtoi se 16 shtatori duhet të shënojë mbylljen e këtij kapitulli dhe kthimin në Kosovë të katër ish-udhëheqësve të UÇK-së.
“Presim edhe 30 ditë. Presim drejtësi”, përfundoi ai.


