Institucionet e drejtësisë “infektohen” nga Covid-19, Gjykata e Lartë dhe “Apeli” i Tiranës pezullojnë seancat

schedule12:03 - 13 Korrik, 2020

schedule 12:03 - 13 Korrik, 2020

Dy institucione të tjera në organet e drejtësisë preket nga koronavirusi.

Pozitiv me Covid 19 kanë rezultuar një gjyqtar i Gjykatës së Apelit, si dhe një punonjës në Gjykatën e Lartë.

Ende nuk dihet se si ata janë infektuar.

Burime pranë Gjykatës së Apelit bëjnë me dije për abcnews.al se janë të paktën 4 punonjës të tjerë në këtë gjykatë që u është bërë tamponi, ndërsa disa të tjerë janë vetëkarantinuar në banesat e tyre.

Për këtë arsye, Këshilli i Gjykatës së Apelit Tiranë ka vendosur që stafi të punojë me orare të reduktuara.

Është vendosur që të zhvillohen vetëm seanca për çështjet emergjence, si masat e sigurisë, dhe jo çështjet në themel.

Edhe në Gjykatën e Lartë puna do të vijojë me staf të reduktuar.

Ambientet e institucioneve të drejtësisë, të prekura nga Covid janë dezinfektuar.

Pak ditë më parë, me koronavirus rezultoi pozitiv drejtuesi i Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Sandër Simoni.

Edhe në këtë institucion, autoritetet shëndetësore u kanë marrë tamponët disa punonjësve të tjerë, përgjigjet e të cilëve nuk kanë dalë ende.

Ndërkohë që të paktën 10 persona të tjerë, mes të cilëve edhe gjyqtarë janë vetëkarantinuar.

Për këtë fakt, seancat gjyqësore ku ata ishin anëtarë të trupave gjykuese, janë pezulluar.

Në Gjykatën e Posaçme, masat kundër COVID-19 vijojnë të jenë të pranishme me tunelin dezinfektues, por edhe me maska mbrojtëse, për të gjithë personat që hyjnë në këtë institucion./abcnews.al