Ushtarët e Koresë së Veriut kanë kaluar të paktën 90 herë kufirin e fortifikuar mes dy Koreve gjatë katër muajve të fundit, raportoi gazeta “Korean JoongAng Daily”, duke cituar të dhëna nga një deputet i opozitës, transmeton Anadolu.
“Sipas të dhënave, ushtria ka zbuluar rreth 30 kalime të kufirit në tetor dhe rreth 10 në nëntor”, thuhet në të dhënat mbi punimet për fortifikimin e kufirit të Koresë së Veriut dhe kalimet e vijës së demarkacionit ushtarak (MDL), të dorëzuara te Yu Yong-weon, deputet i Partisë opozitare të Pushtetit Popullor.
Yu është anëtar i Komisionit për Mbrojtjen Kombëtare në Asamblenë Kombëtare të Koresë së Jugut.
Shtabi i Përbashkët i Shefave të Shtabit të Koresë së Jugut (JCS) i kishte thënë më herët zyrës së Yu-së se trupat e Koresë së Veriut “e kishin kaluar vijën e demarkacionit ushtarak rreth 20 herë në gusht dhe rreth 30 herë në shtator”.
Këto kalime të kufirit ndodhin në mes të shkëmbimit të akuzave lidhur me shpërthimin e një mine më 21 shtator brenda Zonës së Çmilitarizuar, nga i cili u plagosën tre ushtarë të Koresë së Jugut. Koreja e Jugut akuzoi Korenë e Veriut për vendosjen e minave, akuzë që Pheniani e mohoi.
Të dhënat u publikuan në të njëjtën ditë kur ushtria e Koresë së Jugut njoftoi se kishte marrë në dorëzim një “dezertore nga Koreja e Veriut”, e cila u gjet mes një fshati në veri të Vijës së Kontrollit Civil në qarkun Cheorwon dhe gardhit të një postblloku ushtarak.
“Një hetim është duke u zhvilluar në koordinim me autoritetet përkatëse”, tha JCS. Ndërkohë, Seuli sot ktheu një anije peshkimi të Koresë së Veriut përtej kufirit detar, raportoi agjencia e lajmeve Yonhap.
Anija, me shtatë anëtarë ekuipazhi në bord, ishte gjetur duke lëvizur pa drejtim në ujërat ndërkombëtare pranë ishullit Ulleung në Detin Lindor më 3 nëntor.
Në kushtet e ndërprerjes së plotë të komunikimit mes Seulit dhe Phenianit, Koreja e Jugut kontaktoi Korenë e Veriut përmes Komandës së Kombeve të Bashkuara për të kthyer anijen, megjithëse njëri prej anëtarëve të ekuipazhit kishte shprehur dëshirën të qëndronte në Korenë e Jugut.



