Brezi i ri nuk e mbajnë mend Mark Vidukën, ish-bomberin trupmadh australian me oriigjinë nga Kroacia. Së bashku me Harry Keëell dhe Alan Smith formonte sulmin e skuadrës së njohur angleze, që ishte një skuadër spektakolare në vitet e para të mijëvjeçarit të ri. Viduka luajti katër sezone fantastike me Leeds, teksa ishte kapiteni i Australisë, aty ku shënoi 11 gola në 43 ndeshje të zhvilluara. Sot merret me një tjetër profesion dhe zotëron një kafene në Zagreb, kryeqytetin e Kroacisë.
“Është bukur të bësh diçka ndryshe. Bën një kafe të keqe dhe ke mundësi ta hedhësh në kosh, por unë përpiqem të bëj kafen më të mirë të mundshme. Mendoj se jam bërë goxha i aftë. Nuk është i njëjti presion që kisha kur luaja futboll, por më befason efekti që krijon te klientët një shërbim jo i mirë. Njerëzit kujdesën vetëm për kafenë e tyre, kjo ka rëndësi për ta. Jam gjithmonë në qendër të vëmedjes, presioni im i vetëm është të bëj kafe të shijshme për njerëzit”, deklaron Viduka për ESPN.

Ish-sulmuesi i famshëm kthehet pas në kohë dhe zbulon një detaj shumë interesant. Alex Ferguson po tentonte ta afronte te Manchester United, por në fund nuk pati akord mes palëve. “Isha në Manchester për të diskutuar transferimin tim tek United. Agjenti im i asaj kohe kishte shumë lidhje me Elton John. Në mbrëmje, ai më ftoi të shkoja në koncert. Kishte akses për t’u futur pas kuintave dhe kisha mundësinë për ta takuar. Ishte një ofertë që nuk mund ta refuzoja. Sapo më pa, Elton më tha: ‘Mark Viduka, ti vjen nga Melbourne, e adhuroj atë vend’”,
Isha nervoz dhe fillova t’i tregoj për bisedimet e mia me ‘Djajtë e Kuq’ dhe mundësinë për t’u transferuar te skuadra e Ferguson. Në vend që të shkonim në vendet tona për të parë koncertin, Elton na ftoi ta shijonim koncertin nga afër skenës. Pasi këndoi tre këngë tha: ‘Këngën e radhës ia dedikoj mikut tim Mark, i cili ka ardhur sot në Manchester për të marrë një vendim të madh’. Shyqyr që nuk tregoi më shumë, sepse unë nuk firmosa me United. E adhuroja shumë Leeds”, komenton 44-vjeçari.

Ai është një person modest, vëmendja e madhe dhe intervistat nuk i preferon, madje nuk ka asnjë adresë në rrjetet sociale. “Nuk jam një person që preferon të dalë në gazeta. Nuk ndihem rehat kur bëj intervista. Nuk e kam të nevojshme të jem vazhdimisht në Instagram, nuk kam asnjë adresë në rrjetet sociale”, përfundon Mark Viduka. /abcnews.al