Austriakët ofertë tunduese për Muçin, Vllaznia ëndërron për Balajn

schedule08:14 - 12 Dhjetor, 2020

schedule 08:14 - 12 Dhjetor, 2020

Tirana ka në dorë një xhevahir dhe si të tillë pretendon ta shesë shtrenjtë. Ernest Muçi nuk pritet të qëndrojë shumë te kampionët në fuqi, pasi cilësia dhe talenti i tij meritojnë më shumë.

Ishte pranë largimit në verë, por ofertat e ardhura nuk i shkuan përshtat të dy palëve dhe u vendos rinovimi edhe për një tjetër sezon. Ka shumë mundësi që Muçi të mos qëndrojë deri në fund të sezonit.

 

Panorama Sport raporton se në drejtim të Tiranës ka ardhur një ofertë e majme në adresë të Tiranës. Rapid Vienna mësohet se është vënë pas tij dhe ka vënë në dispozicion 400 mijë euro.

Mbetet të shihet nëse Tirana do e pranojë këtë ofertë sepse bardheblutë kërkojnë më shumë para për talentin e tyre dhe duan të mbajnë një pjesë të kartonit. Halili ka pohuar më parë se Tirana ka refuzuar edhe oferta të tjera në këtë shumë.

 

Ndërkohë, Vllaznia ëndërron një lëvizje të madhe. Bekim Balaj, i dalë nga akademia shkodrane është dëshira e madhe e sponsorit Alban Xhaferi. Ky i fundit e ka pohuar se ka pasur bisedime me sulmuesin dhe mbetet të shihet nëse Balaj do pranojë të rikthehet në Shqipëri.

Me shumë mundësi dëshira e Xhaferit do të shtyhet për t’u plotësuar ca pas janarit. Balaj është vetëm 29 vjeç dhe ka ende mundësi për të bërë mirë në Europë dhe siguruar kontrata shumë më të majme seç mund të ofrojë Vllaznia. /abcnews.al