“De Ligt është një mbrojtës qendror, por ai ka nevojë për më shumë distancë. Ai duhet të tregojë vlerat e tij, duhet të drejtojë mbrojtjen. Ai thjesht vrapon pas lojtarit që ka për të markuar, duke lënë hapësira të mëdha. De Ligt shkoi në Itali të mësonte si mbrohet, por nuk besoj se ka mësuar shumë atje“.
Kështu u shpreh Marko Van Basten, legjenda e Milanit dhe Holandës, në lidhje me mbrojtësin e Juventusit dhe kombëtares tulipane. 21-vjeçari ka reaguar në lidhje me kritikat, të cilat i pranon dhe thekson se po punon fort për t’u bërë një mbrojtës edhe më i fortë.
“Nuk është gjë e mirë edhe kur merr vetëm lavdërime. Duhet të përmirësohemi dhe po punojmë që të ndodhë kështu. Kritikat e Van Basten? Nuk është i pari që e bën një gjë të tillë, por ndihem i mirë kur flet një zotëri si Van Basten.
Jam i kënaqur, pasi janë kritika konstruktive, do më ndihmojnë të rritem. Ai flet edhe për komunikimin në fushë, ne po punojmë me të vërtetë në lidhje me këtë gjë, sigurisht që mund të bëjmë më mirë“, deklaroi De Ligt. /abcnews.al