Ministria e Mbrojtjes ka publikuar përditësimin e fundit mbi situatën e zjarreve në territorin e vendit, referuar të dhënave operacionale të orës 20:00 të 30 gushtit 2026.
Sipas informacionit zyrtar, gjatë ditës janë raportuar gjithsej 20 vatra zjarri, prej të cilave 7 vijojnë të jenë aktive, ndërsa 3 të tjera janë nën mbikëqyrje.
Për përballimin e situatës janë angazhuar 284 forca operacionale dhe 33 automjete zjarrfikëse. Në mbështetje të operacioneve janë vendosur gjithashtu 80 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 2 helikopterë të Forcës Ajrore.
Vatrat kryesore aktive janë të përqendruara në Tiranë, Dibër, Korçë dhe Durrës, ku strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë ndërhyrjet dhe monitorimin e situatës.
Në zonën e Dajtit, në drejtim të Qafë-Priskës, operacionet vijojnë me 15 zjarrfikës, 9 forca të AdZM-së dhe 20 efektivë ushtarakë. Në terren është angazhuar edhe një helikopter.
Situata më e ngarkuar paraqitet në qarkun Dibër. Në Vajkal janë angazhuar 38 forca të MZSH-së dhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura, ndërsa në Sllatinë janë angazhuar 91 forca.
Aktive mbeten edhe vatrat në Lundre të Matit, ku gjatë ditës është ndërhyrë me një helikopter të FA-së, si dhe në Ballenjë të Martaneshit, në një zonë të mbrojtur.
Në Qafën e Lugut, Vithkuq, zjarri vijon në sipërfaqe pyjore. Për shkak të terrenit të vështirë dhe pamundësisë për të ndërhyrë në orët e vona, vatra do të monitorohet gjatë natës.
Ndërkohë, në Zallë të Fushë-Krujës, vatra e riaktivizuar është vënë nën kontroll pas ndërhyrjes së MZSH-së, forcave bashkiake dhe 30 efektivëve të Forcave të Armatosura. Sipas autoriteteve, nuk raportohen zona të banuara në rrezik.
Në mbikëqyrje vijojnë të mbahen edhe vatrat në malin e Dardhës dhe malin e Qukësit.
Gjatë ditës janë shuar plotësisht zjarret në Strikçan dhe Nivicë, ndërsa strukturat operacionale vijojnë të jenë në terren për menaxhimin e vatrave të mbetura.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) po ndjek në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje të menjëhershme, në varësi të zhvillimit të situatës.


