Pasi e përjetoi prezantimin e avionit rus MC-21 në një ceremoni madhështore në Irkutsk në qershor të vitit 2016, eksperti i aviacionit Steve Trimble nuk ngurroi ta cilësonte avionin si programin më të nënvlerësuar të aviacionit në botë.
Avioni i prodhuar në Siberi ishte parashikuar të kishte një kabinë me presion të mirë, për një përvojë më të rehatshme të pasagjerëve, kontrolle të avancuara për pilotët për rritjen e sigurisë, si dhe krahë të gjatë dhe të lehtë, të prodhuar përmes një procesi të avancuar teknologjik.
MC-21, emri i të cilit është shkurtim i shprehjes “Avioni kryesor i linjave ajrore të shekullit XXI”, ishte projektuar për të zëvendësuar avionin e vjetërsuar Tupolev Tu-154 dhe për të konkurruar me Airbus A320 të Evropës dhe Boeing 737 të Shteteve të Bashkuara.
Pas prezantimit në vitin 2016, disa shtete thuhet se shprehën interesim për avionin e ri rus.
Një dekadë më vonë, Trimble thotë se shumica e veçorive që i jepnin MC-21 potencialin për të tronditur industrinë globale të aviacionit janë braktisur teksa avioni i Korporatës Yakovlev më në fund po i afrohet prodhimit, pas një periudhe trazirash gjeopolitike që e kanë nxjerrë projektin nga binarët.
“Sanksionet e kanë privuar MC-21 nga shumica e teknologjive kryesore që përmenda [në një intervistë të vitit 2017]”, tha për Radion Evropa e Lirë (REL) Trimble, redaktor për çështjet e mbrojtjes në revistën Aviation Week.
Disa komponentë të teknologjisë së avancuar “janë hequr të gjithë dhe janë zëvendësuar me alternativa ruse, shumë më inferiore”, shtoi ai.
Presidenti Vladimir Putin është ankuar vazhdimisht për vonesat në zhvillimin e flotës së saj të avionëve të pasagjerëve nga Rusia, por njerëz nga industria thonë se programit MC-21 i janë prerë krahët më shumë nga drejtuesit e vendit sesa nga menaxherët në fabrikë.
Pas pushtimit të Ukrainës në vitin 2022, sanksionet e shkëputën industrinë ruse të aviacionit nga zinxhirët perëndimorë të furnizimit. Kjo i dha më shumë urgjencë ambicieve të Kremlinit për të zhvilluar flotat e veta të avionëve, por njëkohësisht rrëzoi projektet ekzistuese që ishin ndërtuar mbi komponentë të projektuar në Perëndim, përfshirë MC-21.
“Rusia u detyrua të zëvendësonte motorët e huaj, sistemet avionike dhe shumë sisteme të tjera në një avion që tashmë ishte projektuar dhe po i afrohej prodhimit”, tha për REL-in Andrei Menshenin, oficer i operacioneve të fluturimit me bazë në Budapest.
“Në praktikë, kjo nënkupton ridizajnimin e pjesëve të avionit, integrimin e komponentëve të rinj dhe përsëritjen e një pjese të konsiderueshme të punës së testimit dhe certifikimit”, shtoi ai.
Mes disa zgjidhjeve të tjera të detyruara nga rrethanat, Yakovlev u desh të siguronte materiale kompozite të prodhuara në Rusi për krahët e MC-21 dhe të hiqte dorë nga motorët Pratt & Ëhitney të prodhuar në Shtetet e Bashkuara.
“Rritja graduale e peshës” së avionit të ridizajnuar i shtoi, sipas raportimeve, 6 tonë peshë strukturës së avionit.
Kjo peshë shtesë, së bashku me kompromiset e tjera, e uli rrezen e fluturimit të avionit nga 5.100 kilometra në vetëm 3.830 kilometra – shumë më poshtë se avionët ekuivalentë të Airbus dhe Boeing dhe një mangësi e vështirë për t’u kapërcyer në një vend aq të madh sa Rusia, ku shumë lidhje ndërqytetëse do të kërkonin ndalesa për furnizim me karburant për MC-21.
Megjithatë, meqë kompanitë ajrore ruse aktualisht mbështeten në qindra avionë Boeing dhe Airbus, të cilët zyrtarisht nuk mbështeten më nga prodhuesit dhe që në praktikë po operojnë me një jetëgjatësi të kufizuar, Kremlini duket se nuk sheh zgjidhje tjetër përveçse të vazhdojë t’i shtyjë prodhuesit vendas të nxjerrin në treg avionë tërësisht rusë.
Së fundmi u njoftua një version i përditësuar i MC-21, me një trup më të shkurtër dhe kapacitet më të vogël për pasagjerë, me qëllim rritjen e rrezes së fluturimit. Por, edhe përballë një kompromisi kaq të madh, Putin dukej personalisht i pakënaqur me specifikimet e tij.
Gjatë një vizite në fabrikën e Yakovlevit në korrik, ku pa nga afër prodhimin e MC-21, Putin reagoi ashpër kur iu tha se versioni i shkurtuar i avionit do të kishte një rreze të parashikuar fluturimi prej 5.000 kilometrash.
“Duhet të jetë më shumë, duhet qartësisht të jetë më shumë”, u tha ai drejtuesve të kompanisë.
Presioni i Kremlinit ndaj drejtuesve të industrisë së aviacionit vjen në një kohë kur sektori përballet me probleme kronike të fuqisë punëtore, pasi ushtria po i josh punëtorët e kualifikuar të industrisë në përpjekjet e saj të luftës.
Kompanitë ajrore ruse janë zotuar të blejnë qindra avionë MC-21, të udhëhequra nga Aeroflot, e cila është kryesisht në pronësi të shtetit. Në vitin 2022, Aeroflot njoftoi se dëshironte të kishte më shumë se 200 avionë të tillë deri në vitin 2030.
Por, njerëz nga industria thonë se MC-21 në formën e tij aktuale do të jetë kryesisht një monument i asaj që mund të kishte qenë nëse bashkëpunimi mes projektuesve rusë të hapësirës ajrore dhe furnizuesve perëndimorë nuk do të ishte ndërprerë.
“Versioni tërësisht rus [i MC-21] do të jetë i vështirë për t’u shitur te kompanitë ajrore jashtë vendeve që janë politikisht të rreshtuara me Rusinë”, tha për REL-in David Kaminski-Morroë, redaktor për transportin ajror në FlightGlobal, “veçanërisht pasi shumica e këtyre vendeve do të vazhdojnë të kenë qasje në modelet e Airbus dhe Boeing, ose, në rastin e Kinës, në C919 të prodhuar në Kinë”.
Duke qenë se gjigantët perëndimorë të aviacionit kanë kontroll mbi segmentin e avionëve të pasagjerëve për distanca të mesme, shtoi Kaminski-Morroë, do të duhej një hap gjigant besimi nga blerësit e huaj për t’u angazhuar me një avion të ri, me specifikime që mbeten prapa industrisë dhe me një rrjet mirëmbajtjeje të patestuar.
“Tregu pothuajse me siguri do të kufizohet në Rusi”, parashikoi ai./REL

