Ka shkuar në tetë numri i personave që kanë humbur jetën pas përmbysjes së një trageti me pasagjerë në brigjet veriore të Qipros. Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë për gjetjen e personave që rezultojnë ende të zhdukur.
Trageti, që transportonte 267 persona, përfshirë 259 pasagjerë dhe tetë anëtarë të ekuipazhit, u përmbys pak pasi u nis nga Kyrenia, në veri të Qipros, në drejtim të portit turk të Taşucusë.
Sipas autoriteteve, 237 persona janë shpëtuar dhe janë nxjerrë në breg, ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë punën në det. Në operacion janë përfshirë mjete të rojes bregdetare turke dhe të administratës së Qipros së Veriut, si dhe helikopterë.
Anija nisi të merrte ujë rreth 15 minuta pas nisjes, ndërsa shkaku i saktë i incidentit ende nuk është përcaktuar. Trageti më pas u fundos plotësisht në ujërat pranë Kyrenias.
Në kuadër të hetimit për shkaqet e tragjedisë, autoritetet kanë ndaluar kapitenin e tragetit dhe shtatë anëtarë të ekuipazhit. Hetimet do të përcaktojnë nëse ka pasur neglizhencë apo shkelje të rregullave të sigurisë.
Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan ka shprehur ngushëllimet për viktimat, ndërsa autoritetet kanë deklaruar se operacionet për gjetjen e të zhdukurve do të vijojnë pa ndërprerje.
Shkaqet e tragjedisë mbeten ende nën hetim.

