Ish-presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, ka ndarë në rrjetin social X disa fotografi të realizuara gjatë muajit qershor në Nju Jork, ku ndodhet në paraburgim që prej 3 janarit.
Në fotografitë e publikuara, Maduro shfaqet i veshur me një kostum sportiv gri, duke buzëqeshur dhe duke bërë me gishta shenjën e fitores. Ai i cilëson këto imazhe si një “dhuratë të vogël dashurie dhe shprese”, dedikuar nipërve dhe mbesave, fëmijëve, si dhe të gjithë atyre që, sipas tij, vazhdojnë t’i qëndrojnë pranë dhe ta mbështesin.
Në mesazhin që shoqëron fotografitë, Maduro shpreh mirënjohjen për ndjekësit e tij, duke i falënderuar për lutjet, solidaritetin dhe mbështetjen gjatë kohës që ai ndodhet në paraburgim.
“Dua ta dini se jemi të palëkundur, me zemrat të mbushura me dashurinë tuaj”, shkruan ai, ndërsa u kërkon mbështetësve që fotografitë t’i presin “me gëzim dhe shpresë”.
Maduro përmend gjithashtu bashkëshorten e tij, Cilia Flores, duke deklaruar se të dy “i përqafojnë përgjithmonë” ndjekësit e tyre dhe se besimi i tyre te Zoti mbetet i pandryshuar.
Në fund të postimit, ish-presidenti i referohet një vargu nga letra e apostullit Pal drejtuar Romakëve (8:37), duke e mbyllur mesazhin me fjalët: “Do të vazhdojmë të jemi të fortë, të qetë dhe plot besim. Zoti është me ne. Venezuela do të rilindë.”
Nicolas Maduro u arrestua më 3 janar gjatë një operacioni ushtarak amerikan në Venezuelë dhe më pas u transferua në Shtetet e Bashkuara, ku vijon të mbahet në paraburgim.

