Tirana mori tre pikë të rëndësishme pas fitores 1-0 ndaj Kastriotit, sfidë që u vendos nga një gol shumë i bukur me kokë i Hoxhallarit. Trajneri i bardhebluve, Orges Shehi foli për Supersport për mediat, ku ndër të tjera tha:
“Nuk është se ne jemi skuadër anti-‘fair-play’, madje jemi treguar më ‘fair-play’ seç duhet. Duhet ta bënte arbitrin ndërprerjen e lojës. Nuk e pashë atë moment, po orientoja mbrojtjen, pasi po kërkonim të shkonim në krah për të tentuar krosimin nga linja e dytë.
Asnjëri nga lojtarët nuk e ka pasur mendjen aty. Tirana është më ‘fair-play’ seç duhet. Na pret një javë e rëndësishme. Sot e dinim që do ishte ndeshje e vështirë, derbi dhe Laçi nuk do kishin vlera pa fituar sot.
Duhet të bëjmë maksimumin për të fituar ndeshjen e radhës. Deri dje kisha pishman Kukësin, tani kam pishman Ballshin, por duhet të fokusohemi vetëm tek e ardhmja, pasi vetëm sa i fusim tension vetes nëse merremi me të kaluarën.
Derbi? Unë shoh atë që kam më afër, pra Laçi dhe Vllaznia. Mendoj se e kemi në këmbët tona, të paktën të kapim Europa League, që është objektivi minimal. Nëse fitojmë në derbi, distanca ngushtohet dhe do të tentojmë gjithçka për gjithçka.
Nëse do të isha në vend të Kastriotit? Unë nuk jam marrë kurrë as me kundërshtarët dhe gjyqtarët, pasi tentoj t’i shoh gabimet te vetja. Nuk do u merrja kurrë. Ata ishin të acaruar, por i dhashë dorën në fund Ndreut dhe stafit të tij.
Ndeshjet e Partizanit dhe Teutës ngjallin interes. Shpresoj që ata të ndalen dhe distanca të ulet sa më shumë. Memelli ka premtuar se do e mundë Partizanin? Ishalla e mban premtimin“, deklaroi trajneri i Tiranës. /abcnews.al