Tirana është gati të përballet me Kukësin, nesër prej orës 16:00. Trajneri Orges Shehi nuk do të ketë në dispozicion vetëm Richard Danso, ndërkohë që thekson në konferencë se lojtarët duan të reagojnë menjëherë pas atij barazimi të arritur kundër Skënderbeut.
“Gjendja është e mirë, sigurisht futbolli i tillë është, javë pas jave ka provime. Nga ato që kaluam në javën që lamë pas, skuadra më ka dhënë përshtypjen që me zor e pret provimin e radhës për të marrë notat maksimale”, tha fillimisht Shehi.
Në lidhje me Kukësin, durrsaku shtoi: “Kukësi është një skuadër cilësore, pavarësisht se i kanë munguar rezultatet. Në gjirin e saj ka lojtarë shumë të mirë, të cilët bëjnë diferencën dhe të vënë në vështirësi. Koeficienti i vështirësisë është shumë i lartë, kështu që na pret një ndeshje e rëndësishme”.
“Tirana favorite? Në psikologjinë time skuadra duhet të futet në fushë me mentalitetin që “unë jam më i miri”, por duke dhënë maksimumin. Të futemi në fushë me kokën poshtë, për të dalë me kokën lart. Kemi një fanellë që është shumë e rëndë”.
“Vazhdimësia e kampionatit? Mendoj se në futboll nuk ka të padiskutueshëm. Sigurisht që është ndeshje e rëndësishme për ne. Javë pas jave distancat për të rikuperuar pikë ngushtohen. Kjo i jep shumë vlerë takimit nesër, duke shtuar edhe ato që thash pak më parë, cilësinë e kundërshtarit. Në mendimin tim janë 9 finale dhe si të tillë duhet ta trajtojmë nesër. Hap pas hapi të mendojmë të ngjitemi, sepse jemi akoma të pestët”.
“Ndeshja me ndeshjen nuk ngjan, sfidat janë të ndryshme, kundërshtarët janë të ndryshëm. Edhe me kundërshtarë si Skënderbeu bëhet e vështirë. Kjo për vetë rezultatet që ka marrë, por edhe për mënyrën e lojës, pasi la shumë pak hapësira.
E kam thënë edhe pas ndeshjes dhe po e them sërish, duhet ta kishim zgjidhur më mirë, duhet të ishim më të qartë. Shpresoj që këto ngërçe të mos i kemi në sfidat e ardhshme”, përfundoi Shehi. /abcnews.al

