Rama me kryebashkiakët: Ju përgjërohem fokusohuni në agroturizëm

schedule11:51 - 31 Gusht, 2018

schedule 11:51 - 31 Gusht, 2018

Nuk është hera e parë që i mbledh kryetarët e bashkive, por nuk kaloi pa u vënë re nga kryeministri Edi Rama mungesa e qytetarëve të parë të zgjedhur nga opozita.

“Nuk jam këtu që të bëj polemikë. Më vjen shumë keq që një pjesë e kryetarëve të bashikive të opozitës sot nuk janë të pranishëm ndërkohë që këtu flasim për një temë që është e interesit të përbashkët. Nuk ka pasur dhe nuk do ketë këtu një ndarje të natyrës politike”, tha Rama.

Nuk ka ndasi politike në punët për qytetarët, sipas kreut të qeverisë, e për këtë i referohet edhe eksperiencës së tij.

“Ajo që unë them duke pasur edhe eksperiencën e kryetarit e bashkisë , duke pasur edhe vetëdijen se sa shumë janë nevojat tuaja, është që duhet të shikojmë bashkarisht mundësinë që të bëjmë ndërhyrje të zgjuara në mënyrë të vazhdueshme dhe për të mos spostuar investimet për qëllime të tjera qoftë dhe të natyrës banale, elektorale”, u shpreh kreu i qeverisë.

Megjithatë bilancet nuk la pa i bërë publike. Shifrat janë në rritje në të gjithë sektorët megjithatë ka një gropë të zezë që nuk po mbushet as nga kryebashkiakët socialistë.

“Do zhvillojmë projektin e rritjes së investimeve në infrastrukturën turistike. Një program i ri për ujësjellësin i cili do të jetë i gjithi i fokusuar tek turizmi dhe nga ana tjetër do ju përgjërohesha që të fokusoheshit tek agroturizmi. Më lejoni t’ju them sepse është e papranueshëm ku potenciali për agroturizmin është kaq i madh, dhe të ardhurat janë kaq të mëdha, ne detyrohemi të kemi mangësi në aplikime. Kjo është e pakonceptueshme. Në vend që të kemi problemin se granti ka nevojë për më shumë para, në kemi problemin se s’kemi aplikime nga subjekt bashkiake”, tha Rama

Sipas kryeministrit Edi Rama agroturizmi lufton varfërinë, gjithashtu u jep mundësi njerëzve të merren me biznes, kur s’kanë mundësi për të bërë eksporte.

Në vjeshtë hapet thirrja e programit të Komisionit Europian. Dhe aty janë rreth 75 milion euro, nga të cilat 11 milionë euro janë për agroturizëm, bujtina në fshat./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!