Një prej vajzave në shkollën “Albanian Qatar College” në Tiranë që u evakuan pas rrjedhjes së gazit në sistemin e ngrohjes ka treguar për ABC momentin e parë kur kanë ndjerë erën e gazit.
Ajo shprehet se orën e parë iu kanë thënë të hapin dritaret ndërsa më pas kur gjendja është përkeqësuar iu kanë kërkuar të dalin jashtë ku kanë parë nxënës duke vjellë dhe në gjendje të fikëti.
“Unë jam maturë. Ngrohemi me kaldaja. Orën e parë dëgjuam era gaz. Na thanë hapni dritaret dhe mbajni hapur. Pastaj na thanë dilni jashtë, pini një kafe. Kur po dilnim jashtë pastaj shihnim nxënës duke vjellë, një tjetër i kishte rënë të fikët“, u shpreh ajo.
Sipas dëshmisë rezulton që fëmijët të kenë bërë të paktën dy orë mësimi nën efektin e rrjedhjes së gazit pasi në njoftimin e saj zyrtar policia ka deklaruar se evakuimi i tyre është bërë rreth orën 09:30.
Burime bëjnë me dije për ABC se lënda që ka rrjedhur nga sistemi i ngrohjes në këtë shkollë është gaz i lëngshëm propan. Shkolla ku ndodhi incidenti është kolesh vajzash i hapur prej vitit 2010./mv.abcnews.al