Vllaznia marshon, Teuta e ndjek. Nëntë pikë diferencë mes këtyre dy skuadrave, ndërkohë që topi kalon te Partizani dhe Laçi që nesër luajnë në transferta. Le të mbetemi te ndeshjet e sotme, me shkodranët që mposhtën në “Elbasan Arena” Kukësin me rezultatin 0-1.
Vendimtar një lojtar që ka luajtur me Kukësin, Arlind Kalaja. Shkodrani zëvendësonte Ardit Hoxhajn dhe e shpërbleu besimin e stafit teknik. Një gol që u shënua në fillimin e pjesës së dytë dhe kishte protagonist edhe Herald Markun, i cili goditi fort dhe portieri Tafa nuk e kontrolloi dot topin.
Imeri mund të kishte shënuar edhe golin e dytë, por nuk ishte i saktë. Kukësi, që pësoi humbjen e katërt radhazi në kampionat, iu afrua barazimit në minutën e 70-të, kur Hetemaj brenda zonës goditi shtyllën pingule. Vllaznia me fat në atë moment, por dominuese në përgjithësi. Në fund fitoi me meritë.
NDESHJA TJETËR – Teuta mori fitoren e parë në shtëpi, ndaj një Bylisi që herë pas here rrezikoi portën e Stivi Frashërit. Lorenco Vila ishte ai që zhbllokoi ndeshjen në “Niko Dovana”, kurse Renato Spahiu në të 41’ nuk shënoi i vetëm me portierin e vendasve.
Korçari u bë shpëtimtar dhe pjesa e parë u mbyll 1-0, kurse në të dytën Ildi Gruda realizoi edhe golin e qetësisë për Teutën. Vila Jr. kishte mundësinë të realizonte edhe të tretin, por shtylla ia mohoi. 2-0, mjaftueshëm që durrsakët të festonin triumfin dhe marrjen e tre pikëve. /abcnews.al
Kategoria Superiore – Java 14
Kukësi-Vllaznia 0-1
Shënues: Kalaja 58′
Teuta-Bylisi 2-0
Shënues: L. Vila 28′, Gruda 66′
66′ Ildi Gruda gjen rrugën e rrjetës dhe i jep epërsinë e dyfishtë skuadrës sè Teutës, në sfidën kundër Bylisit.
58′ Arlind Kalaja realizon për Vllazninë. Tafa nuk kontrollon dot topin pas një gjuajtjeje të Markut dhe shkodrani e shtyu në rrjetë
28′ Lorenco Vila ndëshkon skuadrën e Bylisit. Sulmuesi i Teutës realizoi dhe durrsakët në festë.