Rreth 140 avionë, mes tyre fluturime të British Airways, Ryanair dhe EasyJet, kanë humbur sinjalin e tyre të GPS për shkak të ndërhyrjeve elektronike nga një anije luftarake ruse që lundronte në Detin e Veriut, pranë brigjeve Britanike sipas asaj raporton the Telegraph.
Ngjarja raportohet se ka ndodhur më 9 nëntor, kur avionët humbën sinjalin e navigimit satelitor, në disa raste për rreth 20 minuta. Sipas raportimeve, burimi i ndërhyrjes u lokalizua rreth 305 kilometra larg bregdetit anglez, ku ndodhej një anije luftarake ruse që shoqëronte tre anije transporti, të cilat dyshohet se lidhen me transportin e ngarkesave ushtarake.
Mes fluturimeve të prekura raportohet të ketë qenë një avion i British Airways që udhëtonte nga Londra drejt Stokholmit, një fluturim i Ryanair nga Edinburgu drejt Romës dhe një avion i EasyJet nga Mançesteri drejt Egjiptit.
Ndërhyrja në GPS realizohet përmes sinjaleve radioelektrike që mbingarkojnë sistemin e navigimit, duke penguar përcaktimin e saktë të pozicionit dhe kohës se fluturimit . Ekspertët e luftës elektronike paralajmërojnë se, nëse konfirmohet përgjegjësia ruse, incidenti do të përbënte një përshkallëzim të aktiviteteve të tilla, të cilat janë shtuar vitet e fundit në hapësirën ajrore europiane. Sipas një grupi të inteligjencës së aviacionit, rreth 40 avionë u prekën gjatë fluturimit në hapësirën ajrore britanike ose pranë saj, ndërsa pjesa tjetër e incidenteve u raportua në zona të tjera. Ish-zyrtarë të inteligjencës detare britanike dhe ekspertë të navigimit vlerësojnë se ndërhyrja ka të ngjarë të jetë kryer nga një platformë ushtarake dhe jo nga anijet tregtare, por përgjegjësia e Rusisë nuk është konfirmuar zyrtarisht.
Autoritetet britanike deklaruan se nuk komentojnë mbi çështje që lidhen me sigurinë operacionale apo informacionet e inteligjencës, ndërsa kompanitë ajrore nuk dhanë detaje për incidentin.



