Përjashtimi i Elisa Spiropalit nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka nxitur reagime dhe komente në skenën politike.
Analisti Martin Leka, në një intervistë për “Tirana Live”, ka komentuar zhvillimet brenda PS-së, duke mbajtur qëndrime kritike ndaj Spiropalit. Sipas Lekës, largimi i saj politik lidhet më shumë me pakënaqësi dhe interesa personale sesa me parime apo ide për reformimin e partisë.
Ai u shpreh se Spiropali nuk ka dhënë një kontribut të qëndrueshëm në PS, ndërsa e krahasoi rrugëtimin e saj politik me atë të figurave që, sipas tij, kanë ndërtuar karrierën brenda partisë hap pas hapi.
“Elisa Spiropali nuk zbatoi rregullat. Mendoj që është hapi që bëri një parti politike, nuk mund të kritikosh asnjë parti për rregullat e veta. Ka mënyra për të rregulluar dhe për të gjetur shumë arsye për të qëndruar sesa për të ikur.
Spiropali ka kërkuar më shumë arsye për t’u larguar nga PS, parti e cila e ka pranuar Spiropalin e shumë të tjerë, jo për kontributin, por si shoqe/mike të Ramës. Nga dëshira që ka pasur Rama për t’i pranuar. E kanë ‘mjelë’ atë ‘lopë’ që quhet PS në mënyrën më të tmerrshme.
Qëndrimet e Spiropalit janë një inat personal. Braçe është një zë ndryshe dhe një shembull ndryshe, kur vjen në PS duke ngjitur shkallët një nga një dhe jo duke u katapultuar si mik i kreut të partisë, janë dy gjëra të ndryshme.
Problematikat me drejtësinë janë shkalla e fundit për Spiropalin. Është fiks si “Liza në botën e çudirave”, në politikë. Përdor çdo lloj mënyre për t’u hequr si njeriu, martir. Është i vetmi njeri që nuk ka asnjë ide për reformimin e partisë dhe nuk ka asnjë kontribut në PS. Nuk mund të bëhesh dhi e zgjebosur e bishtin përpjetë”, tha Leka.



