Autoritetet greke kanë arrestuar një person, i cili akuzohet se ka nisur qëllimisht zjarrin në rajonin e Atikës. Kundër tij kanë dëshmuar disa persona, duke konfirmuar se edhe më përpara 65-vjeçari kishte ndezur disa zjarre në zonë.
Një 65-vjeçar është arrestuar si i dyshuar kryesor për shkaktimin e zjarrit në Atikën lindore në Greqi, në të cilin humbën jetën 91 persona, ndërsa 25 njerëz llogariten si të zhdukur.
I arrestuari, identiteti i të cilit nuk është zbuluar, mendohet se është banor i qytetit Penteli në pjesën veriore të Atikës. Kështu të paktën raportojnë mediat greke duke cituar burime pranë hetimeve.
“SKAI” shkruan se sipas fqinjëve të tij, ai edhe në të kaluarën u ka vënë zjarrin mbeturinave dhe degëve të thata, ndërsa para prokurorisë kanë dëshmuar nëntë persona, të cilët e llogarisin përgjegjës për shkaktimin e zjarreve.
Personi i arrestuar dyshohet se ka djegur bar dhe degë të thata në kodrën mbi Pentelin. Për shkak të temperaturave të larta dhe erërave të fuqishme të cilat fryjnë në rajon, zjarri është përhapur shpejt dhe ka marrë përmasa të mëdha.
Siç transmeton “SKAI”, pasi ka kuptuar se sa është përhapur zjarri, dhe veçanërisht pas rrjedhave tragjike, personi i dyshuar është munduar t’i fshehë gjurmët me dhe, ujë dhe baltë, në pikën fillestare prej ku është shkaktuar zjarri./abcnews.al