Tre persona janë arrestuar nga Policia e Fierit gjatë 24 orëve të fundit, në kuadër të tre operacioneve të zhvilluara në Lushnjë dhe Divjakë. Të arrestuarit dyshohen për shitje të lëndëve narkotike, trafikim të veprave të artit dhe kulturës, si dhe vjedhje.
Operacioni i parë, i koduar “Holder”, u finalizua nga Sektori i Narkotikëve i DVP Fier, ku në pranga ra një 48-vjeçar, banues në Lushnjë, i dyshuar për shitjen e lëndëve narkotike në doza.
Gjatë kontrollit fizik dhe në banesën e tij, policia gjeti dhjetëra doza të dyshuara si kokainë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin dhe telefonin celular të 48-vjeçarit.
Ndërkohë, në kuadër të operacionit të dytë, të koduar “Coins”, u arrestua një 52-vjeçar, gjithashtu banues në Lushnjë. Ai dyshohet për veprat penale “Trafikimi i veprave të artit dhe kulturës” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 32 monedha antike, të dyshuara të trafikuara, si dhe dy armë gjahu që posedoheshin pa leje.
Operacioni i tretë, i koduar “Gjurmët”, u zhvillua nga Komisariati i Policisë Divjakë, ku u arrestua një 23-vjeçar, banues në Divjakë.
Nga hetimet dyshohet se i riu ka kryer dy vjedhje. Konkretisht, më 18 nëntor 2026, ai dyshohet se ka vjedhur një shumë parash në një dyqan në fshatin Fier-Seman, ndërsa më 26 korrik 2026, ka vjedhur një shumë parash në një kabinë plazhi në Divjakë./abcnews.al



