Kancelari i Gjermanisë, Friedrich Merz, ka ngritur alarmin për shtimin e aktiviteteve dhe kërcënimeve ruse ndaj sigurisë evropiane, duke theksuar se synimet e Kremlinit nuk kufizohen vetëm te Ukraina.
Duke folur në Bundestag gjatë diskutimeve për buxhetin e vitit 2027, Merz paralajmëroi se Rusia po zgjeron aktivitetin e saj në disa zona strategjike, përfshirë rajonin e Baltikut, Poloninë dhe Detin e Zi. Ai gjithashtu vuri në dukje rritjen e rrezikut nga sulmet kibernetike dhe veprimtaritë ruse brenda territorit gjerman.
Kreu i qeverisë gjermane theksoi se Moska ka objektiva më të gjera sesa kontrolli mbi Ukrainën dhe se kjo duhet të merret seriozisht nga të gjitha forcat politike në vend.
“Rusia e di saktësisht se çfarë dëshiron dhe synimet e saj shkojnë përtej Ukrainës”, u shpreh Merz, duke nënvizuar se aktivitetet ruse po intensifikohen edhe në drejtim të Gjermanisë.
Deklaratat vijnë në një kohë kur disa parti opozitare, mes tyre Alternativa për Gjermaninë (AfD) dhe Die Linke, po bëjnë thirrje për ndalimin e ndihmës ushtarake gjermane për Ukrainën.
Në përgjigje të këtyre qëndrimeve, Merz mbrojti vazhdimin e mbështetjes për Kievin, duke argumentuar se ndihma për Ukrainën nuk është vetëm një çështje solidariteti, por edhe një masë thelbësore për mbrojtjen e sigurisë kombëtare gjermane.
Ndërkohë, planet buxhetore të Berlinit parashikojnë një rritje të konsiderueshme të investimeve në mbrojtje, me shpenzimet që pritet të tejkalojnë 200 miliardë euro deri në vitin 2030, ose rreth 3.7 për qind të PBB-së.



