U mbyll ditën e sotme faza e parë e Kategorisë Superiore. Vllaznia kryeson renditjen me 19 pikë, tre pikë më shumë se Kukësi i vendit të dytë. Pas dy të parave katër ekipe (Partizani, Tirana, Teuta, Kastrioti) janë në kuotën e 13 pikëve dhe ndiqen nga Laçi me 11 pikë. Në zonën e ftohtë janë Skenderbeu, Bylisi dhe Apolonia.
Nëse bëjmë një krahasim në vija të përgjithshme me të njëjtën fazë të vitit të kaluar, është e lehtë të dalim në përfundimin se Kategoria Superiore edhe këtë vit është një ligë shumë e fortë për t’u fituar.
Ajo që është shtuar në këtë sezon është edhe lufta në zonën e ftohtë. Nëse vitin e shkuar Luftëtari dhe Flamurtari “ranë” shpejt dhe u piketuan si të rëna që në nisje, në këtë sezon Bylisi, Skënderbeu dhe Apolonia janë në zonën e ftohtë, por me paraqitjet e bëra japin shenja se nuk do të distancohen shumë nga pjesa e sipërme e tabelës.
Vllaznia ka bërë start shumë të mirë në këtë sezon dhe kryeson renditjen, por as faza e parë e edicionit të shkuar nuk ishte keq. Skuadra e Brdariç ka arritur të grumbullojë katër pikë më shumë se ajo e Mirsad Jonuz në sezonin e shkuar. Vitin e shkuar pas javës së nëntë renditeshin në vendin e tretë dhe konsideroheshin si pretendentë, pavarësisht se në fund iu desh të luanin ndeshjet e Play-Out.
Rënien më të madhe në krahasim me sezonin e shkuar e regjistron Bylisi. Në sezonin e shkuar presidenti Kapllanaj “ëndërronte” kualifikimin në Europë në këtë fazë sepse ndodhej në vendin e dytë me 16 pikë, një më pak se Partizani kryesues. Këtë sezon ballshiotët vuajnë shumë mungesën e golit dhe vazhdimësisë dhe renditen në vendin e tetë me tetë pikë të grumbulluara. Sot morën barazim 0-0 me shumë vlera ndaj Partizanit.
Laçi i këtij viti është në kuotën e 11 pikëve dhe konsiderohet me të drejtë si dështim, por duhet të themi se kurbinasit në sezonin e shkuar kishin vetëm një pikë më pak dhe në fund realizonin objektivin e kualifikimit në Europa League.
Sigurisht, situata në këtë sezon është tjetër. Skuadra bardhezi ka një nga organikat më të mira të Superiores dhe pretendimet janë te titulli kampion. Nëse shohim ecurinë e vjetshme mund të themi se zgjimi i Laçit s’është larg. “Shkëndija” e parë ishte sot me fitoren ndaj Vllaznisë.
Kastrioti i ngjitur dhe i krijuar rishtazi këtë sezon ka treguar deri më tani se është një skuadër shumë e vështirë dhe mund të sfidojë çdo kundërshtar. Aktualisht janë në mesin e artë të renditjes dhe duke parë investimet dhe fjalët e protagonistëve, mund të themi se ndodhen aty ku kanë dëshiruar.
Ndryshe ndodh me Apoloninë, që pritet të jetë skuadra ndaj së cilës shumica e ekipeve do të arrijnë objektivi përballë saj. Të paktën kështu ka ndodhur në shumicën e rasteve në këtë fazë të parë të kampionatit.
Një tjetër ekip me rënie është Skënderbeu. Ai i Dajës pas nëntë javësh numëronte 13 pikë. I Ahmatajt arriti të grumbullojë 6 pikë në nëntë javët e para. Teuta, Kukësi, Tirana e Partizani kanë ndryshime të pakëta dhe nuk shihet ndonjë metamorfozë e dukshme nga këto dy sezone. /abcnews.al