Rudi Vata rikthehet në “Pressing” në ABC, këtë herë në studio dhe jo në një lidhje direkte. Sigurisht në fokus është Superiorja dhe normal Vllaznia kryesore është temë kryesore. Ish-kapiteni dhe ish-trajneri i shkodranëve e pranon se është surprizuar nga ecuria e deritanishme.
“Nuk e kam menduar një Vllazni pretendente, por si ekip që do të ishte i kujdesshëm. Nuk kanë bërë një merkato me emra të bujshëm, por me lojtarë punëtorë. Kanë një trajner që ka futur mentalitetin e punës. Është një Vllazni që flet pak e punon shumë, nuk ndihet. Më vjen mirë që nuk bërtasin që janë më të mirët. Me ta do ketë probleme çdo kundërshtar.
Uroj të vazhdojnë punën e mirë dhe të jenë në rregull me financat, në mënyrë që të punojnë të qetë. Trajneri është arma më e fortë e Vllaznisë. Lojtarët luftojnë edhe për të, që në futbollin shqiptar është shumë e rëndësishme. Nuk kanë Hamza në skuadër, historikisht kanë pasur”.
“Mendoj se kanë bërë zgjedhjet e duhura në marrjen e lojtarëve. Janë punëtorë, ndërsa trajneri është kërkues dhe ia kanë plotësuar kërkesat. Ka futur idetë e tija dhe puna është kryesorja. Është sukses që vjen një trajner gjerman këtu, pasi edhe ka bërë një karrierë në Bundesliga. Vllaznia ka një mënyrë lojë, janë të organizuar. Pasojnë saktë, nuk e humbin topin dhe kundërsulmojnë me shpejtësi.
Edhe golat me Kastriotin i shënuan nga krahët. Mendoja se krutanët do të ishin më të fortë me Vllazninë, por u dorëzuan shpejt. Ishte një malore e madhe pas dy golave të shpejtë. Vllaznia do të jetë ekip i vështirë, janë më të kompletuarit. Financat janë problemi i vetëm. Nëse i kanë të sigurta, atëherë jam i sigurt që shkojnë në Europë. Janë një ekip kompakt dhe i organizuar”. /abcnew.al