KPK shkarkon anëtarin e Kushtetueses, Gani Dizdarin

schedule09:39 - 16 Korrik, 2018

schedule 09:39 - 16 Korrik, 2018

Gjykata Kushtetuese humbi një tjetër anëtar për shkak të Vettingut. Kolegji i Pavarur i Kualifikimit vendosi të shkarkojë nga detyra gjykatësin Gani Dizdari. Gjyqtari ndodhej në vitin e 45-të të punës në sistemin e drejtësisë, 6 muaj para daljes në pension.

Procesi i Vettingut nuk i dha kohë anëtarit të Kushtetueses, Gani Dizdari, të dalë në pension si gjyqtar.

“Shkarkimin nga detyra të zotit Gani Dizdari”.

Përmes këtij vendimi të shpallur në vitin e 45-të të karrierës dhe vetëm 6 muaj para daljes në pension Komisioni i Pavarur i Kualifikimit përjashtoi Dizdarin nga sistemi i drejtësisë. Dizdari nuk ishte në sallë dhe vendimi u dëgjua nga avokati i tij, Sokol Hazizaj.

Arsyetimi i vendimit pritet të zbardhen brenda një afati 30-mujor, ndërsa duket se anëtari i Kushtetueses ngeci në rrjetën e Vettingut për shkak të problemve me figurën dhe pasurinë.

Në seancën dëgjimore të zhvilluar të enjten, KPK tha se Dizdari ka pasur kontakte të papërshtatshëm me nipin, i cili rezultonte i dënuar për “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Në lidhje me pasurinë, KPK vlerësoi si problematike një apartament në pronësi të vajzë së gjyqtarit, për blerjen e të cilit ishin marrë tre hua në persona që, sipas Komisionit, nuk kishin burime financiare.

Dizdari është anëtari i katërt në radhë i Kushtetueses i shkarkuar nga Vetting. Para tij, Komisioni ka firmosur largimin nga drejtësia të Fatos Lulos, Altina Xhoxhajt e Fatmir Hoxhës.

Para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit doli edhe anëtari i Gjykatës së Lartë, Artan Zeneli. Pasi u njoh me hetimin administrativ dhe pretendimet e gjyqtarit, KPK shtyu seancën për në 18 Korrik për shpallje vendimi.

Këtë të hënë ishte planifikuar edhe seanca e shqyrtimit të ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të KPK për ndërprerjen e procesit të Vettingut për ish-anëtaren e Gjykatës së Lartë, Mirela Fana, pas dorëheqjes së saj. Për shkak se në seancë nuk u paraqit as ish-gjyqtarja Fana dhe as ndonjë përfaqëues ligjor i saj trupi gjykues vendosi shtyrjen e seancës për në 10 Shtator dhe përsëritjen e njoftimit të Fanës për seancën. /abcnews.al