Ukraina pretendon se ka goditur pesë avionë ushtarakë rusë gjatë një sulmi me dronë ndaj bazës ajrore Savasleyka, në rajonin e Nizhny Novgorodit, rreth 300 kilometra në lindje të Moskës.
Sipas Shtabit të Përgjithshëm të Ukrainës, nga sulmi janë dëmtuar tre avionë MiG-31 dhe dy avionë Su-34. Autoritetet ukrainase bëjnë me dije se dëmet janë ende duke u vlerësuar, ndërsa paralajmërojnë se mund të ketë informacione të tjera në vijim. Deri më tani, Rusia nuk ka reaguar zyrtarisht për sulmin.
Baza ajrore Savasleyka konsiderohet një objektiv i rëndësishëm ushtarak, pasi përdoret nga Rusia për operimin e avionëve që lëshojnë raketa hipersonike Kinzhal dhe bomba rrëshqitëse. Ngritja në fluturim e avionëve MiG-31 shkakton shpesh alarme ajrore në të gjithë Ukrainën, për shkak të raketave që ata mbartin dhe që janë të vështira për t’u interceptuar.
Ndërkohë, gjatë së njëjtës natë, Ukraina pretendon se ka goditur edhe dy rafineri nafte në rajonin e Samarës, rreth 800 kilometra larg vijës së frontit. Këto sulme janë pjesë e një serie operacionesh ukrainase ndaj objekteve energjetike ruse, të cilat synojnë të dobësojnë kapacitetet e Moskës për përpunimin e naftës.
Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës reagoi me një mesazh të drejtpërdrejtë: “A i riparuat? Do t’i godasim përsëri”.
Guvernatori i rajonit të Samarës, Vyacheslav Fedorishchev, deklaroi se sulmet gjatë natës kishin qenë të shumta dhe se mbrojtja ajrore ruse kishte rrëzuar më shumë se 145 dronë. Ai bëri të ditur se një person kishte humbur jetën, ndërsa në disa qytete ishin regjistruar ndërprerje të energjisë elektrike.
Ukraina njoftoi gjithashtu se kishte goditur një sistem radarik, si dhe depo karburanti dhe qendra logjistike në territoret ukrainase të pushtuara nga Rusia.
“Pa karburant, automjetet ushtarake nuk mund të lëvizin; pa municione, artileria hesht”, deklaroi Ministria e Mbrojtjes e Ukrainës, duke theksuar se goditjet ndaj këtyre objektivave kufizojnë mundësinë e Rusisë për të kryer sulme të tjera.
Nga ana tjetër, presidenti rus Vladimir Putin ka kërkuar forcimin e masave të sigurisë në objektet energjetike të vendit. Ai pretendoi se Rusia ka arritur të stabilizojë tregun e brendshëm të karburanteve, pavarësisht sulmeve, dhe paralajmëroi se Moska do të kundërpërgjigjet ndaj Kievit.
Ndërsa sulmet ukrainase ndaj objektivave ruse në distancë të largët janë shtuar gjatë viteve të fundit, edhe Ukraina vazhdon të përballet me bombardime të përditshme. Sipas raportimeve, dhjetë persona janë vrarë në disa rajone ukrainase gjatë datave 24 dhe 25 nëntor, ndërsa mijëra qytetarë kanë mbetur pa energji elektrike pas sulmeve ruse ndaj infrastrukturës energjetike.



