Ermal Tahiri dhe Orges Shehi, pjesë e përhershme e emisionit “Pressing” në ABC, analizojnë sfidën Vllaznia-Tirana. Klasikja e futbollit shqiptar përfundoi 3-2 për ekipin shkodran, që kryeson Superioren me 9 pikë të plota pas javës së tretë.
TAHIRI – “Vllaznia është djepi i futbollit shqiptar, ka nxjerrë lojtarë dhe ka zbukuruar futbollin shqiptar. Kurrë nuk ka humbur emri i Vllaznisë, krenohemi me lojtarët që ka pasur. Vllaznia po bën shumë mirë, kanë hyrë mirë në kampionat. Dy ndeshjet e para i kishin më të dobëta se Tirana në letër.
Jo vetëm reagoi ndaj kampionëve, por fitoi. Ishte një ndeshje e hapur, shumë e bukur. Vllaznia nuk gaboi asnjëherë taktikisht, është në rrugën e duhur. Futbolli është futboll, gjithçka ndryshon nesër. Më bëri përshtypje diçka, kjo ndeshje mund të mbyllje 2-2, por Shkodra e kërkoi fitoren, nuk e pranoi barazimin dhe ia doli. Kjo është pika më e fortë që pashë te Vllaznia.
Tirana? Ka shumë mungesa, tre janë lojtarët me eksperiencë, të tjerët janë të rinj. Ishte në nivel mbi mesatar me Vllazninë, por pashë gabime individuale, sidomos goli i parë dhe i tretë. Duhet patjetër rikthimi i Torassës dhe një pykë e re. Nuk është zëvendësuar Ngoo. Problem largimi i Cobbinah, edhe mungesa e Cale është problem.
SHEHI – “Ishte javë me përballje direkte. Vllaznia? Mendoj se ka bërë punë të mirë, një nga sukseset e drejtuesve është siguria që i kanë dhënë trajnerit dhe stafit. Ka rëndësi të madhe kur e bën trajneri përzgjedhjen e lojtarëve. Është skuadër me shpirt gare dhe shpirt kolektivi, kërkon të luajë gjithmonë në sulm, kjo vjen edhe nga tradita. Më pëlqen sesi luan, trajneri i bën gjërat thjeshtë dhe saktë.
Tirana? Trajneri i ri e ka gjetur me mungesa, dora e tij do të dallohet më vonë. Më pëlqeu mënyra e vendosjes dhe pozicionit në fushë, e disa elementëve, sidomos pozicioni i Muçit. /abcnews.al