Një lajm i bujshëm vjen nga Italia. Sulmuesi i Barcelonës, Ansu Fati, mund të ishte transferuar tek Juventusi këtë verë. Sipas raportimit të “Tuttosport”, gjithçka nisi kur të dy klubet ishin në negociata e sipër për shkëmbimin mes Pjanic dhe Melos.
Ishte drejtori sportiv i bardhezinjve, Fabio Paratici, ai që i kërkoi më shumë informacion drejtuesve katalanas për situatën e 17-vjeçarit. Mirëpo përgjigjja e tyre ishte e prerë, pasi spanjollët as nuk e mendojnë për ta shitur kartonin e tij.
Ansu e tregoi dhe një herë talentin e tij në këtë sezon, ku deri më tani ka shënuar dy gola në Champions League si dhe u bë golashënuesi më i ri në historinë e “El Clasicos”. Tashmë ai do të luajë nesër pikërisht kundër Juventusit, në një përballje titanësh në Torino. /abcnews.al