Greminger: Ka vend për përmirësimin e kulturës politike

schedule14:30 - 29 Maj, 2018

schedule 14:30 - 29 Maj, 2018

Pavarësisht klimës politike në vend, me debate e protesta Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë duket shpresë plotë se mazhoranca dhe opozita do të arrijnë të cojnë deri në fund reformën zgjedhore.

Thomas Greminger: “Shqiptarët kur ka pasur çështje të rëndësishme e kanë gjetur konsensusin për qëllime strategjike të vendit. Ka ende vend për përmirësimin e kulturës politike. Shpresoj që ky do të jetë rasti që të bien dakord”.

Po kaq besim ka edhe kryetari i kuvendit Gramoz Ruçi.

Gramoz Ruçi: “Unë jam besimplotë që do të arrihet një produkt final, në radhë të parë për implementimin e rekomandimeve të OSBE/ODHIR-it. Pasi nuk ka opozitë në botë që mund të interesohet për probleme të tjera, por është normale që interesi i saj politik dhe elektoral është reforma zgjedhore”.

Votimi elektronik dhe votimi i emigrantëve janë hedhur për shqyrtim në tryezën e komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore. Megjithatë për sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Thomas Greminger kjo nuk është reforma e vetme që duhet realizuar me sukses. Pritshmëritë i ka të larta edhe për projektin e ri që OSBE nënshkroi me Kuvendin e Shqipërisë dhe qeverinë zviceriane për të ndërgjegjësuar qytetarët me qëllim që të marrin pjesë në proceset vendimmarrëse.

Thomas Greminger: “OSBE një mjet i rëndësishëm që mund të përshpejtojë rrugën e Shqipërisë për në BE. Do të vazhdojë ta mbështesë Shqipërinë në reformat e saj. Ne kemi ndihmuar në formimin e legjislacioneve të rëndësishme”.

Më i fundit është kodi i sjelljes së deputetëve. Apeli i OSBE-së është që pas miratimit, kodi të zbatohet ashtu siç duhet./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!