Partitë e opozitës italiane kanë paraqitur një mocion mosbesimi për ministrin e Drejtësisë Alfonso Bonafede. Ky i fundit është përballur së fundmi me një numër të madh kritikash pasi vendosi për lirimin 376 mafiozëve të lartë për shkak të rrezikut nga Covid-19.
Që nga fillimi i trazirave, gjyqtarët italianë çliruan qindra të burgosur të moshuar që vuajnë nga sëmundje specifike sepse janë të rrezikuar nëse infektohen me virusin.
Prokurorët, shoqatat antimafia dhe partitë kanë protestuar kundër vendimeve të gjyqtarëve, duke pasur frikë se bosët mafiozë mund ta përdorin krizën e koronavirusit për të siguruar lirimin e tyre.
Edhe pse Bonafede sqaroi javën e kaluar se vendimi për lirimin e mafiozëve nuk ishte marrë nga qeveria dhe bëri thirrje për një normë të re për të rishikuar rregullat për lirimin e bosëve mafiozë në arrest shtëpiak, opozita e qendrës së djathtë ngriti një mocion mosbesimi.
Bonafede, i cili është anëtar i Lëvizjes me 5 Yje (M5S), i tha ANSA-s që masa e qendrës së djathtë do të nënkuptojë “minimin e besimit në luftën kundër korrupsionit, luftën kundër mafies, reformat për t’i bërë gjykimet më të shkurtra dhe më efikase, dhe masa për t’u siguruar që askush të mos mbetet i pandëshkuar ”.
Mes të burgosurve të liruar së fundmi nga burgu dhe të vendosur nën arrest shtëpiak përfshihen kreu me ndikim i Cosa Nostra, Francesco Bonura, 78 vjeç, i cili po vuante një dënim 23-vjeçar, dhe ‘bosët e Ndrangheta-s’ Vincenzino Iannazzo, 65 vjeç, dhe Rocco Santo Flipppone, 72 vjeç.
Gjykatësit druheshin se një infektim i mundshëm me koronavirus mund të ishte vdekjeprurës për Filippone pasi ai vuan nga sëmundje serioze kardio-vaskulare. Një tjetër shef mafioz i Cosa Nostra, Franco Cataldo, 85 vjeç, u la i lirë të hënën. Cataldo ishte në mesin e të dënuarve për rrëmbimin e 15-vjeçarit Giuseppe Di Matteo, djali i informatorit Santino Di Matteo. Djali më vonë u mbyt dhe u shpërbë në acid me urdhër të Giovanni Brusca-s. /abcnews.al/



