Dani Ceballos ka bërë një analizë të trajnerëve me të cilët ka punuar. 23-vjeçari u rrit te moshat e Betis dhe zhvilloi dy sezone fantastike me skuadrën e parë. Në vitin 2017 erdhi transferimi te Real Madrid për shumën e 18 milion eurove, teksa një vit më vonë ndodhi debutimi me kombëtaren e Spanjës.
Prej verës së kaluar është huazuar tek Arsenali. Aventura londineze nisi mirë, por një dëmtim e frenoi në momentin më të bukur. Ceballos vlerëson Pep Guardiolën si trajnerin më të mirë të historisë në prononcimin e dhënë për DAZN, aty ku flet edhe për trajnerët e tjerë.
ARTETA – “Jam shumë i lumtur që kam Mikel Artetën trajner. Ai ka mësuar nga Pep Guardiola, i cili është, ndoshta, trajneri më i mirë i historisë së futbollit. Arteta ka mentalitet fituesi, do të bëhet një nga më të mirët në këtë profesion”.
ZIDANE – “Kam një raport të shëndetshëm me të. Gjithmonë më ka thënë që jam një ‘diesel’ dhe që duhet të luaja shumë ndeshje për të pasur një ritëm shumë të lartë. Më ka këshilluar të ruaj qetësinë dhe ma përsërit gjithmonë që e ardhmja ime quhet Real Madrid”.
SETIEN – “Quique ka një filozofi loje spektakolare. Tani gjendet në një klub ku mund t’i praktikojë idetë e tij. Nuk kam patur fatin të stërvitem nga ai, por një ditë mund të kryqëzohen rrugëtimet tona”. /abcnews.al