Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u tha punëtorëve të by-passit të Fierit dhe Vlorës, të cilët ishin mbledhur në një protestë para parlamentit për të kërkuar rrogat e papaguara, se paratë e tyre po i marrin kryeministri Edi Rama dhe ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri.
Basha u tha protestuesve që e njihte problemin e tyre: “mosmarrja e parave është pasojë e drejtpërdrejtë e korrupsionit. Ju e dini fare mirë se firma nënkontraktore ka lënë një garanci tek shteti shqiptar dhe kjo garanci mjafton dhe tepron për të paguar detyrimet që shteti tashmë pas largimit të kësaj firme mashtruese u ka mijëra familjeve për rrogat.”
Në fjalën që mbajti para protestuesve të mbledhur para Kuvendit, për mospagesën e pagave me anë të garancisë, Basha fajësoi direkt kryeministrin Rama dhe ministrin Gjiknuri.
“Sipas informacionit tonë kjo pagesë nuk kryhet sepse ka korrupsion. Korrupsion qeveritar dhe kryeministror. Janë me dhjetëra telefonata mes zyrës së kryeministrit dhe zyrtarëve afër kryeministrit dhe kontraktorit, të cilat fshehin një aferë të pistë korruptive. Ju nuk i merrni lekët sepse Edi Rama dhe Damian Gjiknuri janë të përfshirë në një aferë për t’i marrë këto lekë për veten e tyre.”
Kjo ishte protesta e pestë e punëtorëve që kërkojnë rrogat e papaguara për punën e bërë, ndërsa e dyta para parlamentit të vendit.
Kryedemokrati u premtoi protestuesve se opozita do të ngrejë zërin që këto fonde të zhbllokohen një orë e më parë./tvklan.al