Manchester City është pezulluar të marrë pjesë për dy vite në kupat e Europës, por sigurisht “Qytetarët” do ta apelojnë këtë dënim të UEFA-s dhe presin drejtësi në CAS. Vendimi i marrë është përshëndetur nga Barcelona, teksa ka folur presidenti Josep Bartomeu.
“E falënderojmë UEFA-n, që vitet e fundit ka qenë kaq e sigurt për të vazhduar më tej me rregullat e FFP (Financial Fair Play)”, është shprehur kreu i klubit katalanas, i cili së fundmi e ka parë veten nën akuzë për pagesa të bëra për të dëmtuar personalitet si Messi, Guardiola e të tjerë.
Në lidhje më këtë çështje, trajneri i City ka folur pas ndeshjes së fituar me West Ham United. “Unë nuk e di nëse ata më spiunuan. Nëse ka ndodhur, ata më njohin dhe nuk ka qenë e nevojshme të më spiunojnë”. Më pas ai ka komentuar edhe deklaratën e Bartomeu për pezullimin e City.
“Dhe nëse ata janë të lumtur që ne jemi pezulluar, i them presidentit të Barcelonës, na jepni të drejtën të apelojmë. Ne besojmë se kemi të drejtë dhe do të apelojmë. Por mos flit me zë shumë të lartë Barcelona. Këshilla ime, mos flit me zë shumë të lartë. Sepse gjithkush mund të përfshihet në situata të tilla”.
“Gjithsesi ne do të apelojmë dhe shpresojmë që në të ardhmen të luajmë në Champions League sërish ndaj Barcelonës. Kur dikush beson se ka të drejtë, ai do të luftojë deri në fund dhe kjo është ajo që ne do të bëjmë. Është diçka e jashtëzakonshme të luftojmë për njerëzit tanë, që e mbështesin këtë klub. Ne do ta bëjmë diçka të tillë. Si një klub, si një ekip, do të luftojmë deri në fund”, u shpreh Guardiola. /abcnews.al