Në futboll duhet të kesh edhe fat.
Kjo është aksiomë që njihet, ashtu si edhe ajo tjetra që kur fiton e fiton, humbja vjen gjithnjë e më pranë.
Kështu I ndodhi Realit, që u mund në “Santiago Bernabeu” nga një rival modest si Alavesh, edhe pse pati epërsi dërrmuese, dhe goditi shtyllat.
Dhjetë fitoret radhazi në La Ligë e në Champions nuk u bënë dot 11, ndërsa miqtë realizuan një ndeshje prej manuali sa I takon lojës në mbrojtje.
Toni Martinez dhe Angel Perez shënuan për Alaveshin, nga një gol në çdo pjesë loje për epërsinë 2-0.
Mbape shkurtoi shifrat në 69’, pas asistit të Belinghamit, veçse në fund anglezi u përjashtua sepse arbitri gjykoi se ai simuloi për të fituar një penallti.
Ishte e verdha e dytë.
Epërsia ishte shumë e madhe, kur sheh se “merengesit” mbajtën topin 74 për qind, që gjuajtën 24 herë ndaj të rivalit, me 7 goditje në portë kundrejt vetëm dy, dhe kur vëren se portieri mik, Sivera, bëri 6 pritje, ndërsa Kurtua asnjë.
E gjitha kjo nuk bëri punë.
Murinjo u acarua shumë me arbitrin Soto, dhe protestoi ashpër pas një proteste të Arda Gylerit, ndërsa pas ndeshjes edhe e sulmoi, por edhe pranoi humbjen.
Portugezi deklaroi se disfata nuk erdhi nga gjyqtari, por ai kur arbitron Realin gjithmonë e dëmton dhe dëshiron të bjerë në sy.
“Frenim I fortë, – shkruan “Marka”, – një Alavesh I madh ndërpreu serinë e 10 fitoreve radhazi të Madridit. Madridi nuk përballoi dot gabimet në mbrojtje!”
“Na ndalon shtylla, – ankonet “AS”, – një humbje e rëndë e Madridit që u përplas me mbrojtjen e shkëlqyer të Alaveshit. Murinjo sulmon arbitrin, dhe pse pranon humbjen!”
Reali ka 33 pikë në La Ligë, duke mbetur edhe prapa Atletikos, ndërsa Barcelona vazhdon të kryesojë me meritë.


