Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës, Haki Abazi, në një intervistë në emisionin “Real Story” në ABC News, ka kritikuar ashpër qasjen politike të kryeministrit Albin Kurti dhe zhvillimet institucionale në Kosovë.
Abazi i cilësoi zhvillimet e fundit si “driblime politike”, duke pretenduar se qëllimi është dobësimi i institucioneve dhe i sistemit të Republikës së Kosovës.
Sipas tij, tejkalimi i afateve kushtetuese për arsye politike rrezikon të thellojë krizën institucionale në vend.
Po ashtu u ndal edhe te mungesa e, sipas tij, vullnetit politik për zgjidhjen e krizës, duke paralajmëruar se kjo situatë mund të çojë në protesta qytetare dhe në dobësimin e mëtejshëm të institucioneve.
“Janë driblime politike për të arritur te caku. Caku është shembja e sistemit, ai do ta godasë UÇK, do ta godasë kreun e UÇK në Hagë dhe do ta godasë Republikën duke u hequr sikur është mbrojtje. Nëse sot në momentin kur tejkalon afatin Kushtetues për qëllime politike do të thotë se të gjitha janë filma që janë parë në procesin e shembjes të institucionit të Republikës. Mungesa e plotë e vullnetit politik na bie në situatën ku qytetarët janë të detyruar të protestojnë. Për katër vite nuk ka asnjë seancë që diskuton për çështje të Kosovë. Do jemi përballë faktit që nuk do kemi as Gjykatë Kushtetuese brenda disa muajve. Kemi përfunduar në një kaos që gjykon UÇK dhe gjykon të gjitha arritjet e Kosovës. Nuk flitet për integrim”, tha ndër të tjera ai.
/abcnews.al/


