PD denoncon një tjetër kryebashkiak: Prokuroria të hetojë

schedule11:37 - 8 Janar, 2020

schedule 11:37 - 8 Janar, 2020

Partia Demokratike i kërkon zyrtarisht Prokurorisë të verifikojë të kaluarën e Kryebashkiakut të Mallakastrës, Qerim Ismailaj, per te cilin thote se ka te shkuar kriminale.

Pas Shkodrës, Vorës dhe Vaut të Dejës, Partia Demokratike i ka kërkuar Prokurorisë të verifikojë të kaluarën e Kryebashkiakut të Mallakastrës Qerim Ismailaj.

Në kërkesën e Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike Gazment Bardhi, drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme, specifikohet se Qerim Ismailaj, ndodhet në kushtet e ndalimit për të kandiduar dhe për t’u zgjedhur në një funksion të lartë publik, për shkak se dyshohet se ka qenë i arrestuar / ndaluar në Greqi dhe se në periudhën 1999-2000 ndaj tij është marrë masa e dënimit dhe dëbimit nga autoritetet përgjegjëse greke.

Gazetarja Glidona Daci raporton për abcnews.al se PD pretendon se Ismailaj nuk ka deklaruar këtë lloj dëbimi në formularin e dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Informacionet e Partisë Demokratike tregojnë se Qerim Ismailaj ka falsifikuar formularin e dekriminalizimit, për shkak se “pyetjeve nëse është ndaluar apo arrestuar ndonjëherë nga organet ligjzbatuese për kryerjen e një vepre penale, nëse është dënuar ndonjëherë nga autoritetet gjyqësore të huaja apo nëse ndaj tij është marrë ndonjëherë masa e dëbimit nga një shtet i huaj, rezulton se i është përgjigjur me JO” – theksohet në shkresën e Sekretarit të Përgjithshëm.

Sipas ligjit të dekriminalizimit pasqyrimi i të dhënave të pasakta dhe të pavërteta në Formularin e Vetëdeklarimit, përbën vepër penale dhe sjell skualifikimin e menjëhershëm të subjektit nga kandidimi apo ushtrimi i mëtejshëm i funkisonit publik. Në këtë rast, sjell largimin e menjëhershëm nga detyra të Kryebashkiakut të Mallakastrës dhe ndjekjen e tij penale.

Partia Demokratike e Shqipërisë, nisur nga interesi i lartë publik që paraqet kjo çështje, i kërkon Prokurorisë së Përgjithshme një verifikim dhe reagim institucional të shpejtë, me synim që të arrihet qëllimi kryesor që ka ligji i dekriminalizimit, te largojë personat me te kaluar kriminale të marrin vendime për qytetarët apo të ndikojnë në zgjedhje.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!