Kryetarja e bashkisë së Durrësit Valbona Sako ka dhënë dorëheqjen. Ky vendim erdhi pas mijëra reagimeve dhe komenteve në opinion për dy deklarata të bëra dje prej saj.
Një ditë pasi në dy ekrane të ndryshme bëri dy deklarata që ngjallen jo pak pakënaqësi në opinion dhe komente, kryetarja e bashkisë së Durrësit Valbona Sako ka dhënë dorëheqjen. Lajmin e ka bërë të ditur vetë zonja Sako në rrjetin social Facebook.
“E lënduar nga reagimi i madh negativ ndaj një prononcimi që bëra, nën një stres që i kalon fuqitë e mia, jap dorëheqjen nga detyra e Kryetares së Bashkisë Durrës. Falënderoj nga zemra të gjithë ata që më besuan dhe shpresoj në mirëkuptimin e të gjithëve”.
Po cilat ishin deklaratat, gafa, që lëshoi kryebashkiakja e re, e zgjedhur vetëm 5 muaj më parë. Njërën prej tyre e bëri në një intervistë për gazetaren e ABC Neës Ajgena Korbi.
“Qytetari paraqitet në Bashkinë e Durrësit, krijohet një lëvizje të organizuar me transport dhe i çojmë në pikat e akomodimit që janë hotele me kushtet më të mira, janë hotele me 5 yje, që në kushte normale zotërinjt nuk mund ti paguanin për pushime“, tha Sako për ABC News.
Ndërsa në një tjetër intervistë për Top Channel zonja Sako u shpreh se ishte e kënaqur me 50 viktima.
“Për hir të së vërtetës, duhet ta themi që ky ishte një tërmet shkatërrimtar, por duhet ta themi që, duhet të jemi të kënaqur edhe me 50 viktima, sepse në raste të tjera kanë qenë mbi 1000 viktima”.
Pas paraqitjes së dorëheqjes prej saj, Këshilli Bashkiak i Durrësit caktoi në krye të bashkisë nënkryetarin e Bashkisë, Zhuljen Varfaj./abcnews.al