Gaza/ Izraeli pranon armëpushim të përkohshëm për të kryer vaksinimin kundër poliomielitit

schedule09:29 - 29 Gusht, 2024

schedule 09:29 - 29 Gusht, 2024

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu ka sugjeruar se mund të ketë pezullim të pjesshëm të operacioneve ushtarake në Gaza për të lejuar fëmijët e vegjël të vaksinohen kundër poliomielitit.

Në një deklaratë, zyra e Netanyahut mohoi një raport televiziv izraelit se do të kishte një armëpushim të përgjithshëm gjatë fushatës së vaksinimit që fillon në fundjavë, por tha se kishte miratuar “caktimin e vendeve specifike” në Gaza.

“Kjo i është paraqitur kabinetit të sigurisë dhe ka marrë mbështetjen e profesionistëve përkatës”, thuhet në deklaratë.

Një mundësi e sugjeruar nga deklarata e Netanyahut është se bombardimet izraelite do të ndaleshin në zona të ndryshme të Gazës, për të lejuar punonjësit e ndihmës me vaksinat të lëvizin nga njëra në tjetrën. Raundi parë i vaksinimeve do të fillojë të shtunën në një përpjekje urgjente për të kontrolluar përhapjen e virusit.

Elementët e ekstremit të djathtë të koalicionit janë kundër çdo forme armëpushimi ose lehtësimi për popullatën palestineze të Gazës, por agjencitë e ndihmës e kanë bërë të qartë se shpërthimi i poliomielitit, i pari në Gaza për 25 vjet, do të përhapej në Izrael.

Raporti i medias izraelite tha se një pauzë në operacionet u kërkua nga sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, kur ai vizitoi Izraelin javën e kaluar.

Ndërkohë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres tha se nisja e një operacioni ushtarak në shkallë të gjerë nga Izraeli të mërkurën në Bregun Perëndimor ishte “thellësisht shqetësues”.

Ndërkaq trupat izraelite kanë vranë pesë palestinezë në Bregun Perëndimor pas “shkëmbimit të zjarrit gjatë operacioneve kundër terrorizmit në Tulkarm”

IDF tha se një nga të vrarët ishte përfshirë në një sulm me armë zjarri ndaj një civili izraelit në qershor. Ushtria i përshkroi katër të tjerët që thuhet se ndodheshin brenda një xhamie si “terroristë”.

Të mërkurën, zëdhënësi kryesor i Autoritetit Palestinez, Nabil Abu Rudeineh, tha se përshkallëzimi i operacioneve ushtarake izraelite në Bregun Perëndimor, në të njëjtën kohë me luftën në Gaza, do të “çonte në rezultate të tmerrshme dhe të rrezikshme”.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!