Sondazh

Dështimi i protestës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Oxfam: Gaza është kthyer në një “djerrinë toksike”, mbi 99% e territorit palestinez shfaq shenja të ndotjes mjedisore

schedule16:35 - 23 Nëntor, 2026

schedule 16:35 - 23 Nëntor, 2026

Gaza është shndërruar në një “djerrinë toksike”, ku më shumë se 99% e territorit palestinez paraqet tregues të ndotjes mjedisore si pasojë e sulmeve ushtarake izraelite. Ky është përfundimi i një raporti të ri të organizatës jofitimprurëse Oxfam.

Sipas raportit, metalet e rënda, mbetjet e eksplozivëve dhe asbesti nga ndërtesat e shkatërruara, dioksinat dhe ndotësit biologjikë në ajër, tokë dhe ujërat e furnizimit përbëjnë kërcënime serioze për palestinezët, si në të tashmen, ashtu edhe për dekadat e ardhshme.

Drejtori ekzekutiv i Oxfam International, Amitabh Behar, akuzon Izraelin për kryerjen e “krimeve mjedisore të luftës”, si pjesë e asaj që ai e cilëson si “gjenocid në vazhdim në Gaza”.



“Shkatërrimi dhe ndotja e Gazës do t’i kenë degraduar rrënjësisht kushtet mjedisore të nevojshme për sigurinë dhe mbijetesën e njerëzve”, deklaron ai.

Qeverisë izraelite i është kërkuar të komentojë raportin.

Izraeli i ka hedhur poshtë si të pabaza dhe të shtrembëruara akuzat për gjenocid në çështjen që po shqyrtohet nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Qeveria izraelite këmbëngul se fushata e saj ushtarake në Gaza është një akt vetëmbrojtjeje kundër Hamasit, në përgjigje të sulmit vdekjeprurës të grupit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023. Ajo gjithashtu pretendon se merr masa për të minimizuar dëmet ndaj popullsisë civile.

Oxfam dhe Observatori për Konfliktet dhe Mjedisin (CEOBS), me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, përdorën imazhe satelitore, teknika të vrojtimit në distancë, analiza hapësinore dhe të dhëna të tjera të disponueshme publikisht për të arritur në këto përfundime.

Raporti konsiderohet më gjithëpërfshirësi deri më sot mbi pasojat e rënda mjedisore të shkaktuara nga tre vite luftë intensive në Gaza.

Ai përshkruan ndikimin që kanë në mjedis municionet e përdorura gjatë bombardimeve intensive izraelite, si dhe mbetjet e ndërtesave dhe infrastrukturës së shkatërruar.

Në shkurt, një raportues i posaçëm i OKB-së deklaroi se në Gaza ishin hedhur më shumë se 200 mijë tonë eksplozivë gjatë afro dy viteve, një sasi që, sipas tij, është “e barabartë me energjinë totale të rreth 13 bombave bërthamore të tipit Hiroshima”.

Ndërkohë, vitin e kaluar, Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP) vlerësoi se operacionet ushtarake izraelite, që shkatërruan banesa dhe infrastrukturë, kishin gjeneruar më shumë se 61 milionë tonë mbetje ndërtimore në të gjithë territorin. Rreth 15% e tyre mund të përmbajnë materiale të rrezikshme me potencial të lartë ndotjeje.

“Do të ketë pasoja kronike shëndetësore afatgjata, sepse shumë prej këtyre ndotësve qëndrojnë për një kohë të gjatë në mjedis”, tha për BBC-në Lama Abdul Samad, autore e raportit të Oxfam.

Sipas saj, banorët e Gazës, si aktualisht ashtu edhe në të ardhmen, rrezikojnë të përballen me shtim të sëmundjeve të frymëmarrjes, rasteve të kancerit, dëmtimeve të organeve, si dhe rritje të anomalive të lindjes dhe lindjeve të foshnjave pa shenja jete.

Të gjashtë impiantet e trajtimit të ujërave të zeza në Gaza janë jashtë funksionit. Si pasojë, ujërat e patrajtuara përfundojnë në ujërat nëntokësore dhe në Detin Mesdhe.

Situata shëndetësore është përkeqësuar së fundmi edhe për shkak të stuhive të forta dimërore, të cilat kanë bërë që uji i shiut të përzihet me ujërat e zeza dhe të përhapet nëpër rrugë dhe kampet me çadra ku strehohen personat e zhvendosur.

Matja e llojit dhe nivelit të ndotjes është shpesh e pamundur, pasi laboratorët në Gaza janë shkatërruar dhe Izraeli ka vendosur kufizime për hyrjen e pajisjeve të specializuara të testimit dhe të shkencëtarëve.

BBC-ja ka kërkuar një reagim nga ushtria izraelite.

Nga ana tjetër, UNEP ka deklaruar se shqetësimet për sigurinë kanë penguar edhe më parë udhëtimin e ekspertëve të saj në Gaza.

Raporti i Oxfam bën thirrje për kryerjen e një vlerësimi të plotë dhe të pavarur të gjendjes mjedisore në Gaza, me qëllim identifikimin e zonave të ndotura dhe rreziqeve përpara nisjes së operacioneve të pastrimit. Në raport theksohet se vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet mbrojtjes së punonjësve që do të angazhohen në këto operacione.

Ndërkohë, mjekët në Gaza kanë raportuar tashmë një rritje të infeksioneve akute të rrugëve të frymëmarrjes, të shkaktuara nga pluhuri dhe ndotja që vijnë prej ndërtesave të shkatërruara, si dhe nga djegia e plastikës, leckave dhe kartonëve nga personat e zhvendosur për t’u ngrohur dhe për të gatuar ushqim.

Sëmundjet gastrointestinale lidhen gjithashtu me përdorimin e ujit të pasigurt dhe kushtet e dobëta sanitare.

Dermatologu palestinez, Dr. Alaa Abu Hajar, i tha BBC-së se që nga fillimi i luftës ka vërejtur një rritje pesëfish të sëmundjeve kronike të lëkurës. Ai ia atribuon këtë ndotjes mjedisore dhe kushteve të mbipopulluara e johigjienike të jetesës në çadrat dhe kampet e zhvendosjes.

“Ka brejtës, mbeturina dhe ujëra të zeza që janë përhapur nëpër rrugë”, thotë ai. “Fatkeqësisht, grupmosha që preket më shumë janë fëmijët”.

Fermerët dhe peshkatarët thonë se ndotja e tokës dhe e detit i ka bërë të paaftë të prodhojnë ushqime të sigurta për konsum.

“Ujërat e zeza dhe ato të përdorura derdhen në det pa u trajtuar, dhe kjo është një katastrofë e madhe”, shprehet peshkatari Abu al-Abed Sultan.

“Gjithashtu, në det hidhen mbetjet e shtëpive të shkatërruara. Kur hedhim rrjetat, nxjerrim prej tyre gurë, mbeturina dhe plehra. Kjo dëmton mjedisin detar, ndikon te peshqit dhe te vetë peshkatarët”, shton ai.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gaza, e drejtuar nga Hamasi, të paktën 74.746 palestinezë janë vrarë që nga fillimi i luftës. OKB-ja i konsideron të besueshme shifrat e publikuara nga kjo ministri.

Ndërkohë, Kombet e Bashkuara bëjnë me dije se kushtet humanitare në territor vazhdojnë të jenë jashtëzakonisht të rënda. Izraeli e ka kushtëzuar rindërtimin në shkallë të gjerë të Gazës me çarmatimin e plotë të Hamasit dhe grupeve të tjera të armatosura palestineze.

Në korrik, Hamasi pranoi një plan të paraqitur nga Bordi i Paqes, i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, sipas të cilit do të dorëzonte armët në këmbim të tërheqjes së trupave izraelite. Megjithatë, qeveria izraelite deklaroi se propozimi ishte i pamjaftueshëm.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!