OSBE përmes Sekretarit të Përgjithshëm të saj, Thomas Greminger pritet të jenë ndërmjetës mes palëve politike për miratimin e reformës zgjedhore. Lulzim Basha dhe aleatët e tij zhvilluan një takim paraditen e të premtes në selinë blu me Greminger, ku në fund të takimit Basha shprehu besimin se OSBE do të jap kontribut të rëndësishëm për krizën politike. Basha rikujtoi se kriza politike mund të zgjidhet përmes zgjedhjeve të parakohshme, ndërkohë që garantoi se dialogu me maxhorancën do të bëhet vetëm jashtë parlamentit.
Sekretari i Përgjithshëm i OSBE, Thomas Greminger gëzon mbështetjen e aktorëve kryesore politike në Shqipëri për të qenë pikërisht ai ndërmjetësi për krizën politike.
Greminger zhvilloi një takim në selinë blu me kreun e opozitës, Lulzim Basha dhe aleatët e tij në koalicionin opozitar ku kryefjala ishin zgjedhjet. Mbështetjen e tij për të pasur Thomas Greminger si ndërmjetës për krizën, Lulzim Basha e shprehu edhe në fund të takimit.
Deri në momentin që Shqipëria do të ketë një parlament të ri të dalë nga zgjedhje të njohura nga opozita, dialogu mes socialistëve dhe demokratëve nuk do të zhvillohet në Kuvend.
Demokratët nuk do të marrin pjesë as në mbledhjet e Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, ndërkohë që produkti i grupit të ekspertëve të ngritur prej tyre duket se do të kaloj nga OSBE.
Brenda 30 ditëve Partia Demokratike dhe aleatët e saj do të përgatisin një draft për reformën zgjedhore me propozimet e tyre se ku duhet ndryshuar në Kodin Zgjedhor./ABC News Albania