PS pro heqjes së imunitetit të Ahmetajt/ Pëllumbi: Do përgatisim raportin tonë, nuk bëjmë avokatin e askujt

schedule19:04 - 12 Korrik, 2023

schedule 19:04 - 12 Korrik, 2023

Deputeti i Partisë Socialiste, Arben Pëllumbi deklaroi se Partia Socialiste do të përgatisë një raport që do t’i dërgohet kryetares së Kuvendit, në lidhje me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme (SPAK), që kërkon arrestimin e ish zëvendëskryeministrit, Arben Ahmetaj.

Në një deklaratë për mediat pas mbedhjes së Këshillit të Mandateve dhe Rregullores, Pëllumbi u shpreh se nëse procedura e ndjekur për kërkesën për arrestim rezulton e rregullt, Partia Socialiste do të mbajë qëndrimin e saj.

“Duhet t’ia dorëzojmë kryetares së Kuvendit, që pastaj do t’i kalojë seancës plenare. U diskutua dhe besoj kryetarja do të vendosë që ditën e hënë në orën 17:00, të kemi një seancë të posaçme ku do të diskutohet kjo pikë. Duhet të kuptojmë që Këshilli për Mandatet dhe Rregulloren nuk është as gjykatë dhe nuk ka as tagrin që të gjykojë. Ne aty gjykojmë vetëm nëse procedura për dhënien e kësaj të drejte që kërkon organi i akuzës është zbatuar apo jo dhe ka apo nuk ka fakte që vërtetojnë që ndaj kolegut tonë ka ndikime politike apo ka probleme të tjera për të cilat kushtetuta i jep atij mbrojtje.

Për sa kohë ne bindemi që procedura është e rregullt dhe nuk ka fakte të cilat të vërtetojnë që ka një tejkalim për heqje imuniteti, sigurisht ne kemi qëndrimin tonë për të mos bërë avokatin e askujt”, theksoi ai./abcnews.al