Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk ishte pak orë në Tiranë ku u takua me kryeministrin Rama. Zyrtari i lartë i BE-së tha se gjatë këtij viti, Shqipëria është afruar shumë me Bashkimin Evropian, dhe për këtë nuk duhet të dyshojë askush. Tusk bëri thirrje që qeveritë evropiane të hapin negociatat në Qershor.
Pas takimit 40 minutësh, kryeministri shqiptar e dha Presidentit Tusk medaljen e mirënjohjes. Tusk, që është në fund të mandatit, konfirmon linjën e tij se BE-së së deritanishme, se zgjerimi i unionit duhet të vazhdojë.
“Sot, një vit pas vizitës sime të mëparshme në Tiranë, mund të them që, në sajë të përpjekjeve tuaja, ne i jemi afruar këtij objektivi. Jemi më afër tij, dhe për këtë nuk duhet të ketë as më të voglin dyshim, askush, as këtu në Tiranë, e as në të gjitha kryeqytetet e Bashkimit Evropian. Unë kam qenë gjithnjë i mendimit që BE duhet të çelë negociatat për anëtarësim, si me Shqipërinë, ashtu edhe me Maqedoninë e Veriut. Vendi juaj duhet të trajtohet më të njëjtin respekt dhe sipas meritave të veta, siç janë trajtuar dhe vendet e tjera”.
Më gjithë ndryshimet e drejtuesve politikë pas zgjedhjeve të reja në BE, parimet ngelen të njëjta. Po ashtu edhe kërkesat ndaj Shqipërisë.
“Ne diskutuam dhe rëndësinë e ruajtjes së historikut solid në lidhje në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ky fiksim e BE-së për sundimin e ligjit është pjesë e ADN-së sonë dhe do të jetë e tillë edhe kur ju të jeni shtet anëtar në BE. Anëtarësimi i Shqipërisë dhe i rajonit në BE është në interesin më të mirë të gjithë Evropës, pasi nuk do të ketë Evropë të sigurt dhe stabël pa integrimin e të gjithë Ballkanit Perëndimor. Askush nuk po i bën askujt ndonjë nder”, tha Tusk.
Në 18 tetor, Këshilli Evropian do të vendosë për çeljen ose jo të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Boshti Francë-Gjermani është përcaktues, dhe do të shihet kush do të dominojë: Gjermania që kërkon zgjerimin e unionit drejt Ballkanit, apo Franca që është kundër zgjerimit dhe kërkon si fillim një reformë të brendshme në BE.