TIRANË- Kryeministri i vendit, Edi Rama, mori pjesë në aktivitetin e prezantimit të Sistemit Unik të Gjobave, duke e cilësuar atë si një tjetër hap në procesin e digjitalizimit të shërbimeve, me synim rritjen e transparencës, llogaridhënies dhe standardizimin e procedurave administrative.
Sistemi i ri tha Rama synon të garantojë gjurmueshmërinë e çdo akti administrativ, duke bërë që çdo kundërvajtje të shoqërohet me një numër unik identifikimi dhe një bazë të qartë ligjore.
Gjatë fjalës së tij, Rama u kërkoi drejtuesve të institucioneve që zbatimi i gjobave online të nisë sa më parë, duke theksuar se procesi nuk duhet të pengohet nga mungesa e pajisjeve apo problematikat teknike.
Kryeministri theksoi rëndësinë e monitorimit të vazhdueshëm të procesit dhe identifikimit në kohë të problematikave, me qëllim garantimin e zbatimit të plotë të sistemit të ri.
“Ky është një moment pozitiv për institucionet që ju drejtoni, por, nga ana tjetër, duhet të merrni masat e nevojshme që zbatimi i gjobave online dhe jo në letër të realizohet sa më parë. Nuk duhet të ketë justifikime për mungesë tabletash apo probleme teknike.
I takon drejtpërdrejt kryeinspektorit të monitorojë procesin e zbatimit dhe të gjitha mangësitë teknike t’u bëhen menjëherë me dije titullarëve të institucioneve dhe ministrave, në mënyrë që ne të plotësojmë çdo boshllëk në aspektin e bazës materiale”, u shpreh Rama./abcnews.al



