Jorida Tabaku ka komentuar rezultatin e zgjedhjeve vendore të 14 majit dhe dorëheqjen e Enkelejd Alibeajt nga drejtimi i PD. Ajo u shpreh se duhet bërë një reflektim i thellë në lidhje me situatën dhe duhet të gjenden gabimet brenda PD-së.
“Kam pritur që numëruesit të mbaronin punën. Unë kam të njëjtin qëndrim që kisha që në fillim të shtatorit. Kam bërë thirrje për të gjithë ata që janë në PD, pak rëndësi ka që mendojnë ndryshe, që PD duhet të ishte bashkë dhe të kishte ofertë të unifikuar. Kam bërë thirrje që secili prej nesh të mendonte më shumë se interesat e veta personale, kam bërë thirrje që PD të ndryshonte mendësinë, të ndryshonte ofertën, sjelljen.
Në këtë moment kam kërkuar të mos përsërisim gabimet e së shkuarës, të reflektojmë, të mos vijojmë po njësoj me të njëjtat justifikime por të kalojmë një proces i cili do kohë por t’i japim kohë demokratëve dhe vetes për të kuptuar se ku gabuan. Nëse do kishim ndryshuar ofertën e PD do i kishim lënë vendin jo llumit, jo mllefit, jo sulmit, jo përçarjes por bashkimit dhe ofertës së PD në 1, situata do ishte ndryshe.
Ka ardhur momenti që të reflektojmë e të sillemi ndryshe. Shqipërisë i duhet një opozitë e fortë. Duhet të shohim nga vetja se çfarë bëmë gabim. Të pranojmë që PD s’është as më e madhe, as më e bashkuar, as më e fortë se këtë treguan rezultatet. S’mund të jemi refuzimi i shqiptarëve, por alternativa. Dorëheqja e Alibeajt ishte e papritur për mua, mbrëmë kam patur një takim me Gazment Bardhin, kemi diskutuar për këtë çështje.”- u shpreh Tabaku.