Një tjetër incident i armatosur është verifikuar në Shtetet e Bashkuara, pak javë pas atyre në El Paso dhe Dejton, që lanë rreth 30 të vdekur. Këtë herë një person i dyshuar për drogë ka hapur zjarr ndaj policisë duke plagosur 6 oficerë.
Gjashtë oficerë policie mbetën të plagosur në Filadelfia të Shteteve të Bashkuara, pasi një person i armatosur hapi zjarr ndaj tyre. Efektivët e policisë do të kryenin një kontroll për drogë në shtëpinë e të dyshuarit, kur ky i fundit qëlloi, duke i dhënë jetë një beteje të armatosur.
Përballja zgjati rreth 7 orë, me policinë që i bënte thirrje agresorit që të dorëzohej. Ndërkohë, një skuadër speciale shpëtoi dy oficerë dhe tre civilë që kishin mbetur të bllokuar brenda shtëpisë me personin e armatosur.
Më pas, autori i të shtënave, i identifikuar nga mediat amerikane si Moris Hill, u vetëdorëzua duke dalë nga shtëpia me duart lart. Avokati i tij bëri të ditur se kishte ndihmuar policinë që të negocionte dorëzimin.
I dyshuari ishte i armatosur me një armë gjysmëautomatike dhe pistoleta të shumta. Gjatë përballjes ai qëlloi ndaj furgonit të forcave speciale, duke detyruar agjentët e policisë të veshur me anti-plumb të fshiheshin prapa automjeteve.
6 oficerët që morën plagë gjatë përballjes janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe kanë dalë nga spitali. Shefi i policisë lokale deklaroi se shumë prej tyre u ishte dashur të dilnin nga shtëpia e të dyshuarit me shpejtësi dhe përmes dritareve për t’i shpëtuar breshërisë së plumbave të qëlluar prej tij.
Ndërkohë, një oficer i shtatë që mbeti i plagosur si pasojë e një aksidenti rrugor teksa shkonte drejt vendit të ngjarjes ndodhet ende në spital./ABC News Albania 24/7

