Shefi i Mossadit, Roman Gofman, është shprehur në favor të një ndërhyrjeje të pavarur ushtarake të Izraelit kundër Iranit, edhe në rast se Shtetet e Bashkuara nuk do të marrin pjesë në operacion. Qëndrimi i tij mbështetet në të dhënat e inteligjencës, të cilat sugjerojnë se Teherani po vazhdon në mënyrë të fshehtë zhvillimin e armëve kimike, raportoi gazeta izraelite Yedioth Ahronoth.
Në anën tjetër, shefi i ushtrisë izraelite, Eyal Zamir, mban një qëndrim më të kujdesshëm, duke preferuar që çdo operacion i ri ushtarak kundër Iranit të koordinohet me Uashingtonin, raportojnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Sipas raportimit, Gofman qëndroi në Uashington tre javë më parë, ku prezantoi informacione të reja mbi zhvillimet në programin e dyshuar të armëve kimike të Iranit. Gjatë vizitës, ai gjithashtu shtyu përpara mundësinë e realizimit të një operacioni të përbashkët ushtarak.
Megjithatë, deri më tani, administrata amerikane nuk ka marrë një vendim për ndërmarrjen e një sulmi të ri ndaj Iranit.
Burime të sigurisë, të cituara nga gazeta, bëjnë të ditur se informacionet e siguruara nga drejtoria e inteligjencës ushtarake izraelite dhe Mossadi konsiderohen të qëndrueshme.
Edhe pse Zamir është në favor të veprimeve ushtarake, ai vlerëson se aktualisht nuk ekziston një kërcënim i menjëhershëm që kërkon ndërhyrje të menjëhershme.
Për këtë arsye, ai preferon që Izraeli të presë vendimin e presidentit amerikan, Donald Trump, dhe të bashkërendojë çdo veprim të mundshëm me Shtetet e Bashkuara. Sipas tij, përfshirja amerikane do të rriste ndjeshëm kapacitetet ushtarake izraelite.
Megjithatë, gazeta thekson se objektivat e Izraelit dhe të SHBA-së nuk janë domosdoshmërisht të njëjta.
Raporti nënvizon se Trump mund të synojë përfundimin e armiqësive pasi të realizohen disa objektiva të kufizuara ushtarake, ose të zgjedhë rrugën e një marrëveshjeje përmes negociatave. Ndërkohë, Izraeli synon t’i shkaktojë dëme më të mëdha kapaciteteve ushtarake të Iranit.
Sipas Yedioth Ahronoth, Izraeli nuk e konsideron të domosdoshme pjesëmarrjen amerikane për të nisur një sulm ndaj Iranit. Megjithatë, përfshirja e Uashingtonit do të rriste mundësitë për arritjen e një rezultati më të gjerë strategjik, përtej një fitoreje të thjeshtë ushtarake.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump përsëriti të enjten se Shtetet e Bashkuara nuk do ta lejojnë Iranin të pajiset me armë bërthamore. Ai deklaroi se administrata e tij po vazhdon t’i ofrojë Teheranit mundësi për të arritur një marrëveshje, e cila do t’i jepte fund luftës dhe do të shpëtonte jetë njerëzish.
Duke folur para gazetarëve në resortin e tij Mar-a-Lago, në Florida, pas telefonatave me rastin e Ditës së Falënderimeve me trupat amerikane të dislokuara në rajon, Trump u shpreh se fitorja ndaj Iranit është e mundur dhe se ajo mund të arrihet në çdo moment që ai e konsideron të përshtatshëm.
Ai shtoi se Uashingtoni po i jep Iranit mundësinë për të negociuar një marrëveshje, por njëkohësisht shprehu skepticizëm nëse Teherani është i gatshëm ta shfrytëzojë këtë mundësi.


